E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania: Dialog politik, ndryshe progresi i integrimit del nga binarët

 Faktori ndërkombëtar vazhdon t’i bëjë thirrje partive politike shqiptare për të gjetur rrugën e konsensusit, për hir të interesit të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Zëvendësambasadorja e Ambasadës Britanike, Elizabet Evans gjatë pjesëmarrjes në simpoziumin kushtuar marrëdhënieve britaniko-shqiptare ka apeluar ndaj klasës politike për nisjen sa më parë të dialogut mbi situatën politike të krijuar. Diplomatja britanike ka qenë tepër e ashpër në qëndrimin e saj, duke thekuar se në këto momente historia do t’i dënojë liderët politikë. “Dialogu dhe debati konstruktiv politik është padyshim një kërkesë kyçe: një Parlament aktiv dhe dinamik është elementi qendror i çdo demokracie dhe historia nuk tregohet e butë me politikanet e sotëm – të së gjitha partive – nëse vështirësitë aktuale në Parlament lejohen të nxjerrin nga binarët progresin drejt integrimit në BE”, deklaroi zëvendës ambasadorja. Evans theksoi se është shumë e lumtur për punën që bën së bashku me Shqipërinë për ta ndihmuar të arrijë pozicionin e merituar, si anëtare më të drejta të plota të familjes së kombeve Evropiane. “Muajin e shkuar, Këshilli Evropian e ftoi Komisionin Evropian të dorëzojë një opinion për gatishmërinë e Shqipërisë si vend kandidat, një hap i rëndësishëm dhe pozitiv për Shqipërinë dhe pikë fillesa për një proces intensiv dhe të detajuar rishikimi të gatishmërisë së Shqipërisë për fazën tjetër në rrugën e saj drejt integrimit eventual në BE. Ky rishikim do fokusohet në progresin e Shqipërisë në plotësimin e kritereve themelore të demokracisë evropiane përcaktuar në kriteret e Kopenhagës. Ai fillon me pyetësorin që ambasadori i KE i dorëzoi të mërkurën Kryeministrit Berisha”, tha Evans. Ajo theksoi se “si diplomate britanike në Shqipëri, detyra ime është të çoj përpara përparësitë e marrëdhënies Britani-Shqipëri të përcaktuara nga Qeveria Britanike në Londër. Këto përparësi përfshijnë ndihmesën në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit të mundshëm në BE. Kjo për arsyen se, duke qenë se Britania është tashmë një anëtare e BE-së, është e rëndësishme për ne që Shqipëria, që ka dëshirën për t’u bashkuar me ne, të jetë në gjendje të plotësojë kërkesat e anëtarësimit”. Sipas diplomates britanike, Shqipëria ka ecur shumë përpara në një kohë të shkurtër dhe se kur paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim në BE në 28 prill 2009, e bëri këtë si anëtarja më e re e NATO-s. “Kjo vështirë se do hamendësohej 12 vite më parë, në ditët e vështira të vitit 1997, kur depot ushtarake u vodhën, mijëra armë shkuan në dorë të popullatës dhe kur banda të armatosura silleshin nëpër rrugë. As nuk mund të imagjinohej njëzet vite më parë, në vitin 1989, kur ra muri i Berlinit, por Shqipëria ishte akoma e izoluar nga bota, nën zgjedhën e diktaturës më izoluese dhe më të egër komuniste që ka parë bota. Kështu që progresi është i padiskutueshëm dhe i pranuar”, theksoi Evans. Prej më se një javë ndërkombëtarët kanë shtuar presionin ndaj partive politike, të maxhorancës dhe opozitës për të nisur dialogun mes tyre dhe vënies fund të ngërçit politik. Gjatë dorëzimit të pyetësorit të BE-së në zyrën e Kryeministrit, ambasadori i KE-së, Helmut Lohan ka deklaruar “Në procesin e integrimit në BE këto reforma të vështira duhet të bazohen në konsensusin më të gjerë të mundshëm”. “Për këtë arsye, ne e themi dhe një herë se vendi për debatin politik është në Parlament. Dhe për ta thënë atë me fjalët e Këshillit të çështjeve të Përgjithshme: BE u bën thirrje të gjithë partive politike në Shqipëri, që të ndjekin një dialog politik konstruktiv, duke u përfshirë në Parlament”, deklaroi Lohan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›