E Hënë, 2 Nëntor 2026

Xhuvani: Shqipëria qeveriset për interes të familjes Berisha

 Deputetja e qarkut Vlorë, Luiza Xhuvani, u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të bashkohen me opozitën kundër një kryeministri që shkel ligjin. “Sot është dita të bashkohemi, të gjithë, nga jugu në veri, pasi Shqipëria e vitit 2010 nuk mund të jetë kjo e sotmja. Nuk mund të jetë një vend, ku Kryeministri shkel ligjin. Nuk mund të jetë një vend që qeveriset jo për interes të shqiptarëve, por nga interesat e një familjeje të vetme, të kapur fund e krye nga korrupsioni, që përdor shtetin për të qëndruar në pushtet”, u shpreh dje Xhuvani në mitingun e protestës në qytetin e Vlorës. Deputetja socialiste ka përsëritur thirrjen nga kryeministri Berisha për të hapur kutitë e votimit. “Nuk mund të jetë kjo Shqipëria që kemi ëndërruar. Dhe nuk është kjo Shqipëria për të cilën Saranda, Vlora dhe gjithë shqiptarët votuan më 28 Qershor. Hap kutitë që të shohim të vërtetën. Hap kutitë që krimi elektoral të mos përsëritet më. Hap kutitë që vendi të dalë nga kriza. Hap kutitë, ose përndryshe, largohu”, u shpreh Xhuvani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›