Zv.ministri çek me Bregun: Ju mbështesim për në BE
Çekia garanton mbështetje për Shqipërinë në rrugën e integrimit për në BE. Këtë e bëri të ditur dje zëvendësministri i Parë i Punëve të Jashtme, Tomas Pojar, gjatë një takimi me ministren tonë të Integrimit, Majlinda Bregu, e cila ndodhet në Pragë me ftesë të zëvendëskryeministrit çek për çështjet e BE-së. Ministrja Bregu e njohu zyrtarin e lartë çek me hapat e ndërmarra nga qeveria në rrugën për integrimin e vendit në BE si dhe më specifikisht për rolin që pret Tirana të luajë Republika Çeke gjatë periudhës së Presidencës së BE-së në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. “Eshtë shumë e rëndësishme të vazhdojmë bisedimet për marrëdhëniet tona bilaterale, është në interesin tonë të vazhdojmë me procesin e integrimit evropian të rajonit përfshirë edhe Shqipërinë. Kemi folur me detaje për këtë proces dhe i urojmë Shqipërisë shumë fat në rrugën e integrimit evropian, ne do të bëjmë të pamundurën për ta mbështetur vendin tuaj”, tha zv.ministri i Parë i Punëve të Jashtme, Tomas Pojar. Sipas një njoftimi të Ministrisë së Integrimit, gjatë kësaj presidence, Çekia angazhohet se do të vazhdojë të trajtojë si prioritet zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor. “Ministrja Bregu u përqendrua kryesisht në prezantimin e situatës në Shqipëri në kuadrin e integrimit evropian, ku u diskutua mbi progresin e arritur në fushat kryesore të detyrimeve për integrimin evropian, si reformat zgjedhore në drejtësi, ajo në administratën publike, situatën ekonomike si dhe në luftën kundër korrupsionit”, thuhet në njoftimin për shtyp.