E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhepa: Shqipëria s’ka krizë, ka fonde për sektorët që mund të preken



Shenjat e krizës globale mund të shfaqen në ekonominë shqiptare, por ajo nuk rrezikohet të përfshihet prej saj. Qeveria ka marrë të gjitha masat për t’u paraprirë efekteve të krizës dhe është e gatshme të ndërhyjë për të minimizuar goditjet që mund të vijnë në çdo kohë. Këshilltari i Kryeministrit për Financat, Selami Xhepa, në një prononcim dhënë për “standard” shprehet se Shqipëria nuk është rrezikuar të preket nga kriza. I pyetur për analizën e fundit të FMN-së që e cilëson Shqipërinë si vend që rrezikohet të preket nga kriza, Xhepa ndan mendim të kundërt me këtë raport. “Vendi ynë nuk rrezikon potencialisht të kalojë në krizë. Efektet do të ndihen, por pa e rrezikuar ekonominë shqiptare të kalojë në krizë”, - ka deklaruar Xhepa. Reformat e ndërmarra deri më tani nga qeveria shqiptare, sipas Xhepës, janë masa që i paraprijnë riskut që mund të vijë nga kriza globale. Këshilltari për Financat i Kryeministrit Berisha lëkundjet që mund të ndihen në sektorë të ndryshëm për shkak të elementëve të krizës që mund të përcillen në ekonominë tonë, nuk i klasifikon si rrezik që mund të kanosë ekonominë shqiptare. Madje, ai në mënyrë kategorike deklarohet se kriza nuk do ta prekë vendin.

“Shenja të krizës do të shfaqen, por Shqipëria krizë s’do ketë”, - tha Xhepa. Por nga ana tjetër ai bën me dije se është një program reformash që qeveria ka ndërmarrë deri më tash që e bën jetën ekonomike të funksionojë më mirë. Ulja e taksave, rritja e pagave, pensioneve, subvencionet i vijnë në ndihmë vetë shqiptarëve dhe ekonomisë.

Xhepa tha se ka një bllok reformash, masash dhe fondesh që qeveria ka në dispozicion të krizës. Nga ana tjetër, ai tha se buxheti i vitit 2009 parashikon masa të cilat japin siguri financiare, siç është dhe fondi i kontigjencave. “Qeveria është e gatshme që në çdo kohë të ndërhyjë për t’u ardhur në ndihmë sektorëve të veçantë që mund të rrezikohen nga kriza ekonomike dhe masat e marra deri më tani janë në kohë. Ne kemi fonde kontigjencash për sektorët që mund të goditen. Kemi fonde të posaçme për të ndihmuar në kohën e duhur sektorët që mund të preken nga kriza”, - ka theksuar Xhepa. Sipas tij, investimet nuk do të preken, ato të vazhdojnë dhe për këtë qeveria ka marrë masa, duke marrë kredi nga bankat e nivelit të dytë për garantimin e investimeve publike (kredia 250 milionë euro). Kjo kredi do të përdoret nga qeveria për çdo të papritur që mund të lindë nga buxheti. Kredia prej 250 milionë eurosh synon që të mos impaktojë kursin e këmbimit në tregun financiar dhe kemi një sërë masash të tjera, të ndërmarra në kuadrin e nxitjes së drejtpërdrejtë të aktiviteteve prodhuese, të cilat gjithashtu do të ndihmojnë dhe lehtësojnë bizneset që të mos preken nga kriza.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›