E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ylli Pinari e Mihal Delijorgji firmosin aktet e dosjes “Gërdeci”



Dhjetë ditë para 1-vjetorit të tragjedisë së Gërdecit, prokurorët dhe hetuesit ndërmarrin hapat e fundit lidhur me të pandehurit e dosjes me të njëjtin emër, para se ajo të depozitohet për gjykim. Madje, bëhet e ditur se brenda datës 10 mars, dosja do të depozitohet për gjykim në Gjykatën e Lartë. Fakti konfirmohet nga burime zyrtare pranë organit qendror të akuzës, të cilat bëjnë të ditur se kanë përfunduar njoftimin me aktet për 27 të pandehur, ndërkohë që sot ose nesër pritet t’i njoftohen edhe të arrestuarit të katërt, Sokol Ngjeçi. Kështu, në përfundim të hetimeve, shkon në 28 numri i të pandehurve për tragjedinë e Gërdecit. Pasi u kanë komunikuar akuzat gjithë personave përgjegjës për këtë tragjedi, direkt apo indirekt, prokurorët kanë njohur dje të pandehurit e arrestuar qysh në momentet e para, Ylli Pinarin, Mihal Delijorgjin dhe Dritan Minxhollin, me aktet e dosjes. Paraditen e djeshme, tre oficerë të Policisë Gjyqësore, si dhe një prokuror janë paraqitur në paraburgimin 313 “Jordan Misja”, për t’iu komunikuar përfundimin e hetimeve Pinarit dhe Delijorgjit, pasi Minxhollit i ishte komunikuar një ditë më parë. Në qelitë e paraburgimit ndodhen të arrestuar për këtë çështje katër persona, ndërkohë që pritet që të tjerë të vihen në pranga para se dosja të përfundojë në Gjykatën e Lartë për gjykim. Emrat e personave që do të gjykohen nën masën “arrest me burg”, përveç Delijorgjit, Pinarit, Minxhollit e Ngjeçit nuk bëhen të ditura nga organi qendror i akuzës.

Takimi

Hetuesit e çështjes kanë mbërritur dje në ambientet e burgut rreth orës 10:00 dhe janë larguar prej andej në orën 12:00. Njohja me aktet është bërë në ambientet e burgut 313-të, në prani të dy avokatëve të të pandehurve, Maks Haxhia dhe Ardian Leka. Lidhur me këto veprime hetimore, burime nga organi qendror i akuzës bëjnë të ditur se “prej dy ditësh në ambientet e paraburgimit, hetuesit e çështjes, në prani të avokatëve të të pandehurve Pinari, Delijorgji e Minxholli, i kanë njohur me aktet e dosjes, të cilat do të dërgohen për gjykim në gjykatë. Këto janë hapat përfundimtarë të prokurorëve dhe hetuesve para se dosja të shkojë për gjykim”. Për rreth dy orë, të pandehurit dhe avokatët janë njohur me aktet dhe kanë firmosur njohjen me to. Këto dy ditë pritet që me përfundimin e hetimeve të njihet edhe i arrestuari tjetër, Sokol Ngjeçi.

Akuzat

“Shpërdorim detyre”, “falsifikim dokumentesh” dhe “vrasje masive” janë disa nga akuzat për 28 të pandehurit e dosjes “Gërdeci”. Dosja do të gjykohet nga një Kolegj Penal në Gjykatën e Lartë, për shkak të faktit se në këtë grup të pandehurish është edhe një deputet, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Gjithashtu, të pandehur janë edhe ish-funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe ushtarakë të lartë, si shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, zv.shefi i Shtabit, Zija Jahja dhe komandanti i Komandës së Bashkuar, Shpëtim Spahiu. Për këtë ngjarje janë marrë në total 28 persona të pandehur, nga të cilët 4 janë në qelitë e paraburgimit dhe të tjerët në gjendje të lirë. Aktualisht në qeli ndodhen Delijorgji, Pinari dhe Minxholli, për akuzën e “vrasjes masive në bashkëpunim”, si dhe Sokol Ngjeçi, se ka lejuar shkarkimin e një sasie tej rregullave dhe normave të lejuara në punishte dhe nuk ka marrë masat e duhura për shmangien e grumbullimit të sasive të konsiderueshme të municioneve në Gërdec. Ndërsa, janë marrë të pandehur në muajin shkurt ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu; ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha; zëvendësi Agim Lala, Shpëtim Spahiu, Zija Bahja, Ramadan Tartari, Ndue Marku, Ardian Mullai, Adriatik Mema, Shkëlzen Madani, Dashnor Çaushaj, Zenun Fero, Hysni Coçka, Hilmi Laçaj, Fari Toska, Rezart Tërshana, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fiqiret Mato, Lavdi Shatro, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari, Jorgo Mino dhe Fatbardh Kuçi. Të pandehurit akuzohen si shkaktarë të tragjedisë së 15 marsit të vitit të kaluar, direkt apo indirekt, me veprime apo mosveprime, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm humbën jetën 26 persona si dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë.

Të pandehurit e dosjes “Gërdeci”

Ylli Pinari, ish-drejtues i MEICO-s

Mihal Delijorgji, administrator i “Albdemil”

Dritan Minxholli, drejtor i fabrikës së demontimeve

Sokol Ngjeçi, mbikëqyrës i MEICO-s

Fatmir Mediu, ish-ministri i Mbrojtjes

Luan Hoxha, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë

Shpëtim Spahiu, komandant i Komandës së Bashkuar

Agim Lala, zv.shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë

Zija Bahja, ish-komandant i forcave mbështetëse

Ramadan Tartari, ish-drejtor në Ministrinë e Mbrojtjes

Ndue Marku, ish-drejtor i Drejtorisë Juridike

Ardian Mullai, ish-sekretar i Përgjithshëm

Adriatik Mema, ish-sekretar i Përgjithshëm

Shkëlzen Madani, ish-drejtor në Ministrinë e Mbrojtjes

Dashnor Çaushaj, drejtor i Logjistikës

Zenun Fero, anëtar i komisionit të kategorizimit të municioneve

Hysni Coçka, anëtar i komisionit të kategorizimit të municioneve

Hilmi Laçaj, anëtar i komisionit të kategorizimit të municioneve

Fari Toska, anëtar i komisionit të kategorizimit të municioneve

Rezart Tërshana, ish-anëtar i komisionit të çmimit të fishekëve

Besnik Dauti, ish-anëtar i komisionit të çmimit të fishekëve

Agim Babameto, ish-anëtar i komisionit të çmimit të fishekëve

Fiqiri Mato, drejtori i Uzinës Mekanike të Gramshit

Lavdi Shatro, drejtori i Uzinës Mekanike të Poliçanit

Gëzim Oshafi, anëtar i komisionit të kategorizimit të municioneve

Denis Hajdari, anëtar i komisionit të kategorizimit të municioneve

Jorgo Mino, anëtar i komisionit të kategorizimit të municioneve

Fatbardh Kuçi, anëtar i komisionit të kategorizimit të municioneve

Detaj

28 është numri i të pandehurve të akuzuar për tragjedinë e Gërdecit, të cilët pritet të shkojnë për gjykim në Gjykatën e Lartë

10 mars është dita kur pritet që dosja të depozitohet për gjykim në Gjykatën e Lartë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›