E Diel, 1 Nëntor 2026

Stani: “Kabineti i Berishës, më i majtë se çdo qeverisje”

Autori i Lajmit: red.
PDK shprehet e indinjuar me faktin se kryeministri Berisha nuk përmendi kontributin e kësaj partie në analizën e punës së qeverisë, ku ky subjekt bënte pjesë deri para pak kohësh. PDK në reagimin e saj rreth analizës së qeverisë, të bërë nga kryeministri Berisha ditë më parë, e cilëson si dështim të madh të qeverisë faktin që ende nuk është zgjidhur çështja e pronës. Në një konferencë për shtyp, sekretari Politik i kësaj partie, Lazër Stani, kritikoi qeverinë e Berishës duke thënë se “në çdo raport ndërkombëtar janë dhënë vlerësime pozitive për reformat ligjore të inicuara në fushën e shëndetësisë, por meqenëse Kryeministri ka vendosur lënien e PDK-së jashtë qeverisë, ai nuk i përmendi këto arritje. Reformat kushtetuese e parlamentare, veç të tjerash, fryt edhe i partive të tjera, përfshirë edhe demokristianët, Kryeministri i personalizoi si arritje të tij, gjë që natyrisht nuk është e saktë. Kryeministri mund të jetë krenar se kabineti aktual që ai drejton ka qenë tri herë më i majtë se çdo qeverisje që ka pasur Shqipëria gjatë këtyre viteve, për elektoratin e djathtë shqiptar ky është sa lajm i vërtetë, aq edhe negativ dhe me pasoja për moralin dhe integritetin qeverisës të së djathtës në Shqipëri. Për ironi të fatit, bilanci mediatik pozitiv i arritjeve të qeverisë së zotit Berisha u bë në të njëjtën ditë kur Papa Benedikti i 16-të deklaroi në Kishën e Shën Tomasit të Vilanovës se jemi para një “spektakli të trishtuar të gëzimit krejtësisht fals dhe të dhimbjes së ankthshme”. Mazhoranca e djathtë është larg realizimit të shumë prej premtimeve të marra në fushatën elektorale apo në votimet politike të programit dhe të buxhetit në Parlament. Ish-zyrtarë të majtë janë sot aleatët më besnikë e të preferuar të “reformave kushtetuese” të Kryeministrit dhe njerëzve të tij. Kryeministri të përshpejtojë procesin ligjor të kompensimit të ish-pronarëve, duke e zgjidhur përfundmisht problemin e pronësisë në Shqipëri, si një detyrim ligjor dhe premtim elektoral i kësaj maxhorance”,- ka përfunduar sekretari Politik i demokristianëve, Lazër Stani.
Ky lajm është publikuar: 19/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›