E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja e pronës:Ish-pronarët: “Gati një megavjedhje”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“A e kuptoni pse rri në sirtar plani strategjik i Tiranës së Madhe? Sepse, nëse ky plan i Tiranës së Madhe do të ishte i miratuar sot, sipas nenit 2, këto legalizime nuk do të bëheshin. Po përgatitet një megavjedhje”

Ish-pronarët paralajmërojnë një megavjedhje, siç e quajnë ata. Sekretari i Shoqatës së të Shpronësuarve, “Pronësi me Drejtësi”, Rushit Vorpsi, pohoi dje se vendimi i fundit i Qeverisë shqipare për të kaluar në varësi të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të 71 hektarëve pyje e kullota për kompensimin fizik të ish-pronarëve konsiderohet vetëm një farsë nga këta të fundit për të mbuluar një vjedhje tjetër të madhe. Ai sqaron se bëhet fjalë për 6 mijë hektarë tokë në kryeqytet që nga shtatori i këtij viti do t i nënshtrohet procesit të legalizimit. Por, sipas Vorpsit, abuzimi qëndron në faktin se zonat e konsideruara informale, si Bathorja e Kamza, do të legalizohen me çmime qesharake, ndërkohë që janë pjesë e vijës së verdhë në planin e Tiranës së Madhe. Me hyrjen në fuqi të këtij të fundit, ligji aktual i legalizimeve, ndalon një proces të tillë në këto zona. Ish-pronarët shprehen skeptikë se brenda këtij mandati do të konkretizohet kompensimi fizik për këtë kategori. Ndërsa për sa i përket fondit financiar prej 500 milionë, Vorpsi thotë se ai do të shpërndahet vetëm në fund të vitit, kur për arsye elektorale, edhe mund të dyfishohet.
Akuzat
“Pika 4 e nenit dy të ligjit të legalizimeve thotë shprehimisht: “Nuk shtrihet për ndërtime pa leje të ngritura mbi troje që ndodhen brenda vijës së verdhë kur planet rregulluese urbanistike parashikojnë ndërtime mbi pesë kate nga niveli zero. A e kuptoni pse rri në sirtar plani strategjik i Tiranës së Madhe? Sepse, nëse ky plan i Tiranës së Madhe do të ishte i miratuar sot, sipas nenit 2, këto legalizime nuk do të bëheshin. Po përgatitet një megavjedhje. Çmimi real i tokës, sipas Ministrisë së Financave është 600 euro për m2, ndërkohë që ata persona që do të legalizohen atje në Kamëz do ta marrin tokën vetëm me 10 dollarë për m2”,- shprehet Vorpsi. Ish-pronarët shprehen skeptikë se brenda këtij mandati do të konkretizohet kompensimi fizik për këtë kategori. Madje, sipas tij, dhe kompensimi financiar do të bëhet në fund të
vitit për t u përdorur për qëllime financiare. “Nuk mund të bëhet fjalë brenda këtij mandati qeverisës për kompensim fizik, dhe kjo është më se e qartë. Pra kompensimi fizik do t i takojë një strukture tjetër që do të caktohet pas zgjedhjeve dhe nga ana tjetër për atë që quhet kompensim financiar, ajo shumë e miratuar sot në buxhetin e shtetit prej 500 milionë lekësh, patjetër që do të shpërndahet. Por do të shpërndahet në fundin e vitit kur, për arsye elektorale, mund të rritet edhe një herë aq”, - tha sekretari i Shoqatës së të Shpronësuarve, “Pronësi me Drejtësi”. Ligji i ri “Për verifikimin e titujve të pronësisë” sapo ka hyrë në fuqi. Sipas tij, do të krijohet nga e para Komisioni Shtetëror për Ndarjen e Tokave, nën kryesimin e zëvendëskryeministrit Genc Pollo. Në të pritet të nisë procesi i verifikimit të ndarjes së tokave bujqësore ndër 17 vite.
Buxheti
Fondi i parashikuar në buxhetin e vitit 2008 për kompensimin e ish-pronarëve është 500 milionë lekë ashtu si edhe një vit më parë. Por shpenzimet totale, të parashikuara nga ky buxhet vjetor, janë 360 miliardë e 207 milionë lekë, ndërkohë që në vitin 2007 këto shpenzime ishin 285 miliardë e 329 milionë lekë. Kjo tregon se nga viti në vit Qeveria ul shpenzimet për këtë shtresë të shoqërisë, në 2007 fondi për ta ishte 0.18 për qind i shpenzimeve të përgjithshme buxhetore, ndërsa këtë vit është 0.18 për qind, edhe pse kishte premtuar zgjidhjen e problemit të pronave. Kjo shifër e këtij viti, madje, është më e ulët se në vitin 2006, kur ndonëse ishin caktuar vetëm 300 milionë lekë fond, ato përbënin 0.15 për qind të shpenzimeve totale.

Shahu
17335 ha tokë për kompensimin e ish-pronarëve
Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ka identifikuar rreth 17335 hektarë tokë bujqësore, të cilat i ka vënë në dispozicion të Agjencise së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për kompensim të ish-pronarëve. Zëdhënësi i MBUMK-së, Rexhep Shahu, ka pohuar se në dispozicion të kësaj agjencie do të kalojnë edhe sipërfaqe të tjera tokash të marra në mënyrë të paligjshme, të cilat do të verifikohen nga komiteti shtetëror për verifikimin e zbatimit të ligjit 7501, që do të nisë zbatimin në shtator të këtij viti. Sipas tij, projektligji i ri i miratuar ditët e fundit nga Këshilli i Ministrave për konsolidimin e titujve të pronësisë, nuk do të anulojë ndarjen e tokës, por do ta konsolidojë titullin e pronësisë. Shahu tha se domosdoshmëria e këtij projektligji të ri, ka ardhur si rezultat i konflikteve dhe problemeve me pronësinë e tokës, ankesat për të cilat do të verifikohen rast pas rasti.
Ky lajm është publikuar: 19/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›