E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nuk bëhet fjalë për dygjuhësi, grekët janë shumë pak”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Vendimi i marrë ditë më parë nga organizata Omonia e minoritetit grek në Shqipëri për paraqitjen e një kërkese qeverisë shqiptare me qëllim njohjen si gjuhë të dytë zyrtare të greqishtes në vend, ka bërë që të reagojë një pjesë e opinionit publik dhe politikës shqiptare. Sipas kësaj organizate, “duke iu referuar vendimit të fundit të Parlamentit të Shkupit, për të njohur si gjuhë zyrtare ato të komuniteteve etnike, Këshilli i Përgjithshëm i OMONIA-s, ka fuar qeverinë shqiptare që të përmbushë detyrimin e saj, që rrjedh nga Konventat ndërkombëtare që ka nënshkruar si palë, por edhe për përdorimin e gjuhës së minoritetit grek në Shqipëri në dokumentet zyrtare, ashtu siç theksohet në Konventën Kuadër të Këshillit të Evropës për minoritetet greke”, referohej zyra e shtypit të Omonias. Deputeti i Partisë Socialiste Marko Bello, në një prononcim për “Ballkan”, sqaron se nuk mund të bëhet krahasim midis dy fenomeneve, ai i Maqedonisë për shqiptarët, pasi faktori shqiptarë nuk është minoritet, por pjesë etnike autoktone dhe faktor qeverisës. Ndërsa për sa i përket minoritetit grek në Shqipëri është krejt e kundërta e shqiptarëve në Maqedoni, dhe për më tepër, thotë ai, ata nuk janë as 2% e popullsisë në vend. Bello, duke analizuar këtë kërkesë të Omonias ka theksuar se “kjo organizatë dhe kreu i saj Bollano nuk mund kurrsesi, që për arsye plitike të arrijë deri në këtë pikë sa të vërë në pikëpyetje ato marrëdhënie shumë të mira që ka shumica e shqiptarëve me minoritetin grek, së pari, dhe së dyti, marrëdhëniet shumë të mira që kemi me Greqinë fqinje. Dhe për mendimin tim, kjo është si të thuash “të kërkosh gjilpërën në kashtë”. Dhe të bëjnë kujdes, kjo organizatë dhe drejtuesi i saj, që të mos provokojnë shqiptarët, pasi shqiptarët janë njerëz tolerantë, duan të jetojnë siç e kanë demonstruar vazhdimisht, në paqe dhe fqinjësi të mirë me të gjithë ata që i rrethojnë. Shqiptarët respektojnë të drejtat dhe liritë e gjithë minoriteteve, dhe Shqipëria është pjesë e të gjitha konventave të mëdha ndërkombëtare, kështu që nuk ka përse të hidhen këto “gjilpëra”. Iu referova dhe më lart, këta zotërinj të mos kërkojnë gjëra aty ku nuk ka se çfarë të kërkosh. Nuk bëhet absolutisht fjalë për dygjuhësi në Shqipëri, pasi një minoritet si ai grek, aq i vogël në numër dhe ka vetëm pak për qind. Kështu që atje ku ka minoritet ka dhe shkolla dhe të gjitha të drejtat e tyre. Nuk jam dakord as me gjestin e bërë nga një individ si Bollano, ku në Himarë hoqën tabelat në shqip, një gjest i paligjshëm dhe i patolerueshëm, dhe shteti duhet t i vendosë këta individë pa mëshirë përpara ligjit, pasi edhe ata që janë minoritarë, në fund të fundit, janë shtetas shqiptarë”,- ka përfunduar Bello.

“RTSH, megafon bolshevik në duart e Berishës”

Deputeti i Partisë Socialiste, Marko Bello, ka ripërsëritur sot akuzat ndaj Radiotelevizionit Publik Shqiptar, duke kërkuar nga drejtuesit e këtij institucioni që të ndalojnë propagandën për Qeverinë dhe Parlamentin. “Grupi Parlamentar i PS gjen rastin t u bëjë edhe një herë thirrje drejtuesve të RTSH, të ndalojnë urgjentisht këtë propagandë dhe të respektojnë ligjin. Berisha nxitoi të uzurponte me çdo çmim Radiotelevizionin Publik Shqiptar, me synimin e qartë për ta kthyer atë në një vegël “qorre” në duart e tij, për të propaganduar të ashtuquajturat arritje spektakolare të qeverisë së tij të dështuar. Kryeministri e ka katandisur televizionin kombëtar në një megafon të tipit bolshevik, që trumbeton arritjet e shumicës në pushtet dhe godet gjithkënd dhe gjithçka është kundër vijës dhe orientimeve të selisë blu. Ky institucion është bërë sot një fushë beteje e luftës së brendshme në PD, ku për shkak të rivalitetit Berisha-Topi-Topalli, dy drejtorë informacioni janë detyruar të japin dorëheqjen, ndërsa i treti, një militant i thekur i PD, po demonstron hapur zellin partiak, duke e kthyer televizionin publik përfundimisht në një megafon të dyshes Berisha-Topalli. Sot, kur vëmendja e mbarë botës është përqëndruar tek Lojërat Olimpike të Pekinit, RTSH, e cila ka blerë edhe të drejtën e transmetimit televiziv të këtij aktiviteti sportiv botëror, i lejon vetes luksin të mbulojë hapësirat e transmetimit me emisione speciale për Sali Berishën dhe Jozefina Topallin”, - u shpreh Bello gjatë një konference për shtyp.
Ky lajm është publikuar: 19/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›