E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi e Berisha: Kjo është një ditë e madhe

Pritje speciale ishte rezervuar për delegacionin shqiptar, i cili mori pjesë në Samitin e Strasburgut, ku Shqipëria u bë anëtare e NATO-s me të drejta të plota. Delegacioni, i cili kryesohej nga Presidenti Topi dhe Kryeministri Berisha, ka mbërritur dje në mesditë në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas, ku është pritur nga ministrat e kabinetit qeverisës, krerët e partive politike të djathta, por edhe nga dhjetëra qytetarë. Pas zbritjes nga avioni, Presidenti Topi dhe Kryeministri Berisha kanë bërë përshëndetjet e para për mediat në konferencën e improvizuar në pistën e Aeroportit të Rinasit. Më pas janë nisur drejt kryeqytetit, ku rruga nga Rinasi deri në Tiranë ka qenë e gjitha në dispozicion të delegacionit, pasi policia kishte ndaluar qarkullimin. Përgjatë gjithë rrugës, delegacioni është pritur nga qytetarë, të cilët mbanin në dorë lule dhe flamuj, ku shkruhej: "Shqipëria në NATO". Më pas, Kryeministri ka takuar një grup fëmijësh te fusha e balonave, bashkë me të cilët ka hedhur në ajër balona dhe tullumbace ku ishin shkruar "Ne në NATO". Delegacioni është futur në kryeqytet, duke kaluar përgjatë bulevardit kryesor për të mbërritur në Kryeministri. I shoqëruar nga Kryetarja e Kuvendit, Topalli, dhe ministra të kabinetit, Kryeministri ka hyrë në godinën e Kryeministrisë, e cila ishte e veshur e gjitha me një banderolë të madhe, ku ishte vendosur shqiponja dhe simboli i NATO-s.

Përshëndetja e Topit

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka uruar dhe falënderuar të gjithë shqiptarët, institucionet e Shqipërisë dhe Forcat e Armatosura për bërjen e mundur që Shqipëria të pranohet anëtare me të drejta të plota në NATO. "Vullnetit dhe dëshirës së popullit shqiptar, institucioneve të saja, i është bashkëngjitur vullneti i aleatëve tanë, të cilët na mbështetën sot në këtë rrugë. Dëshiroj t‘i falënderoj të gjithë, në mënyrë të veçantë aleatin tonë kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës", është shprehur kreu i shtetit, sapo ka zbritur në Aeroportin e Rinasit. Më pas, ai ka falënderuar edhe mediat për punën e bërë, të cilat, sipas kreut të shtetit, kanë përcjellë të gjitha momentet më të rëndësishme, atë që ka pasur të bëjë me aspiratën e thellë të popullit tonë, me atë që kanë bërë institucionet shqiptare, reformat që kemi zhvilluar, takimet e shumta ndërkombëtare dhe mbi të gjitha evenimentin që u realizua dje dhe suksesin e plotë.

Përshëndetja e Berishës

Kryeministri Berisha ka uruar shqiptarët për anëtarësimin në NATO, duke theksuar se kjo ditë do të mbetet një ditë e mrekullueshme, e lirisë dhe e dinjitetit tonë kombëtar. Një falënderim të veçantë Kryeministri u ka bërë Forcave të Armatosura, që me reformat e tyre, me kurajën dhe përkushtimin e tyre, u bënë ambasadorët tanë të shkëlqyer në misione ndër më të vështirat paqeruajtëse në Evropë e botë. Falënderim dhe mirënjohje të veçantë Kryeministri Berisha u ka bërë qeverive dhe kombeve të vendeve anëtare, që gjatë këtyre viteve u dëshmuan shqiptarëve solidaritetin më të jashtëzakonshëm dhe më të madh që ata kanë njohur në historinë e tyre. "Një mirënjohje më e veçantë i takon popullit të madh amerikan, qeverisë së SHBA-së, e cila vite më parë themeloi Kartën "Adriatik 3", që u shndërrua në një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm të bashkëpunimit të Shqipërisë me dy vendet mike, Kroacisë dhe Maqedonisë, në afrimin e shpejtë të Shqipërisë me NATO-n", është shprehur Berisha, duke theksuar se mirënjohje e veçantë i përcillet ish-presidentit të SHBA-së, Xhorxh Bush, por edhe Presidentit aktual, Barak Obama, që priti me fjalët më inkurajuese anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke bërë vlerësimin më të madh për reformat e shqiptarëve, reforma që anëtarësuan Shqipërinë në NATO.

Shkelet protokolli

Zyrtarët kthehen me një avion nga Strasburgu

Protokolli i shtetit është "shkelur me të dyja këmbët" nga zyrtarët më të lartë. Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit kanë udhëtuar me një avion të përbashkët, duke u kthyer nga Samiti i NATO-s. Protokolli i shtetit nuk e lejon një gjë të tillë, por ashtu si edhe herët e tjera, ai është hedhur në "kosh të plehrave", pasi të gjithë krerët e shtetit kanë qenë në bordin e një avioni, i cili është ulur në mesditë në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas. Krerët e lartë të shtetit janë pritur nga nënkryetari i Kuvendit, Neritan Ceka, dhe zëvendëskryeministri Genc Pollo, të cilët kanë drejtuar prej tri ditësh shtetin shqiptar. Kjo nuk është hera e parë që gjatë këtyre katër viteve shkelet protokolli i shtetit, është hera e katërt që ndodh.

Mungesa e PS

Opozita nuk merr pjesë në ceremoninë e mazhorancës

Megjithëse opozita e ka vlerësuar si një ditë të madhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe dy ditë më parë organizoi një miting festiv me rastin e kësaj dite, dje nuk ka qenë pjesë e ceremonisë festive të organizuar nga qeveria. Krerët e opozitës dhe deputetët e saj nuk kanë qenë pjesë e pritjes së organizuar në aeroport, pas mbërritjes në atdhe të delegacionit zyrtar. Gjatë këtyre dy ditëve, opozita ka bërë vlerësimet maksimale për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke theksuar se hedhja e këtij hapi është meritë e të gjithë shqiptarëve, ndaj tani pritet hedhja e një tjetër hapi, atij të anëtarësimit në Evropë. Pjesë e delegacionit shqiptar në Strasburg, kur Shqipëria u bë pjesë e NATO-s me të drejta të plota nga opozita, ka qenë kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj.

Berisha në shesh feston anëtarësimin në NATO

Kryeministri falënderon vendet aleate, harron opozitën

Një ditë pas anëtarësimit me të drejta të plota në NATO, shqiptarët kanë festuar, duke dalë të gjithë së bashku në shesh. Pjesë e këtij festimi është bërë edhe Kryeministri Berisha, i cili në orën 18.00 ka dalë nga godina e Kryeministrisë, duke u drejtuar në këmbë drejt sheshit "Nënë Tereza", ku është takuar me studentët e Akademisë së Arteve, të cilët kishin organizuar një miniekspozitë për nder të kësaj dite të madhe. Më pas, Kryeministri, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Liri Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe gjithë ministrat e kabinetit qeverisës, është drejtuar në këmbë drejt sheshit "Skënderbe", ku është takuar me qindra qytetarë. Pranë ambienteve të Galerisë së Arteve, Kryeministri ka zhvilluar një tjetër ndalesë, pasi aty kanë qenë fëmijët që kanë organizuar një tjetër miniekspozitë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Pas këtij takimi, kreu i qeverisë është drejtuar drejt sheshit "Skënderbe", ku ka qenë e vendosur pjesa më e madhe e njerëzve, të cilët ishin bashkuar për të festuar ditën e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Organizatorët e kishin konceptuar si një miting festiv anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Pas përshëndetjes me qytetarët në shesh, Kryeministri ka prerë tortën e anëtarësimit në NATO, një tortë e madhe, mbi të cilën ka qenë simboli i flamurit të NATO-s. Më pas, Kryeministri është ngjitur në podiumin e improvizuar pranë monumentit të Gjergj Kastriot Skënderbeut, duke iu drejtuar qytetarëve në shesh, por nëpërmjet medias edhe shqiptarëve, gëzuar ditën e anëtarësimit në NATO. Sipas Kryeministrit, kjo është një ditë e madhe dhe një ditë mirënjohjeje ndaj aleatëve, të cilët mbështetën Shqipërinë në këtë rrugë të gjatë. Në fjalimin që ka zgjatur gati 15 minuta, Kryeministri ka falënderuar të gjitha vendet anëtare të NATO-s, SHBA-në dhe Presidentin Barak Obama për mbështetjen e dhënë ndaj Shqipërisë. Kreu i qeverisë ka bërë një rezyme të shkurtër të rrugës së gjatë 18-vjeçare që Shqipëria ka bërë për të ardhur deri në këtë ditë. "Kjo betejë ka filluar që më 1991-shin", tha Berisha në shesh, ku mijëra qytetarë u përballën me shembjen e regjimit më të keq, me shembjen e simbolit të bunkerizimit. Ndërsa sot, u shpreh Kryeministri me një entuziazëm të madh, festohet anëtarësimi në familjen e madhe të NATO-s, duke e bërë Shqipërinë të ndihet më e fortë dhe e sigurt. "17 vjet më parë, tha Berisha, kjo ëndërr dukej jo vite, por dekada larg, ndërsa sot kjo ëndërr u bë realitet". Duke falënderuar edhe njëherë vendet aleate, Berisha tha se asnjë komb nuk e ka pasur mbështetjen që ka pasur Shqipëria, ndaj le t‘u shprehim atyre mirënjohjen më të thellë. Në fjalën e tij, Kryeministri nuk ka bëre asnjë falënderim për opozitën, e cila ka luajtur rolin e saj për realizimin e reformave kryesore, të cilat kërkoheshin nga NATO-ja. Në këtë ditë të madhe gëzimi, Kryeministri duket se ka dashur të ndajë vetëm me të tijtë, dhe pas mbarimit të fjalimit ka zbritur nga podiumi, duke takuar të gjithë ministrat dhe krerët e partive aleate, duke mos kursyer një përqafim edhe për bashkëshorten e tij. Më pas, sheshi është lënë në dorë të grupeve të muzikës, të cilët kanë festuar bashkë me qytetarët shqiptarë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›