Debati për INSTAT, FMN: I besojmë, por jo shumë
Pa statistika të besueshme, të gjitha debatet që bëjnë Ministri i Financave, FMN, apo përfaqësuesit e opozitës do të ishin farse. Në fakt, Bode dhe Bell, dje ishin gati dakord për reformonim e INSTAT, por u ndanë vetëm në sulmet ndaj opozitës. Ministri i Financave e akuzoi opozitën se po sulmon institucionin, ndërsa përfaqësuesi i FMN, kërkoi më shumë punë prej INSTAT. “A mund të ishin statistikat më të mira? Padyshim që po, por kjo s’është një gjë specifike për Shqipërinë. Kudo në botë mund të kërkosh për statistika më të mira. Duke qenë se kemi ofruar asistencë dhe burime në këtë fushë e marrim këtë gjë mjaft seriozisht dhe pas pak kohësh, pas dy javësh, do të ketë këtu një mision vlerësimi për asistencën teknike, të ofruar në fushën e statistikave, për të parë se sa e efektshme ka qenë kjo asistencë nga ana jonë dhe për të gjykuar se ku janë nevojat për asistencë të mëtejshme. Statistikat janë numra dhe do ishte më mire që ta linim mënjanë retorikën dhe të shikonim gjërat praktike. Ne e kemi bërë këtë gjë në të kaluarën dhe do të jemi të gatshëm ta bëjmë përsëri”, theksoi Bell. Nga ana e tij, Bode e shfrytëzoi pyetjen për të sulmuar kreun e PS. “Ka zënë vend një dominancë konspirative në kupolën e opozitës, e nxitur nga Rama, dhe shihen me dyshim të gjitha gjërat. Në qoftë se flitet mirë për vendin, për ekonominë e vendit, për institucione, për Qeverinë sigurisht që Rama do mundohet të nxijë. Deri tani ka sulmuar Weverinë, ka sulmuar INSTAT-in, sulmoi dhe Bankën me siguri nesër do sulmojë dhe Fondin, vetëm e vetëm sepse mendon se të gjithë po i bëjnë konspiracion Ramës dhe grupit të tij, pse flasin mirë për Shqipërinë, pse Shqipëria po bën progres në të gjitha fushat dhe po flasim sot për fushën e financave publike dhe të ekonomisë së vendit”, tha Bode.