Shalsi: Ministrat e Saliut po përfitojnë nga kriza
Deputeti i Partisë Socialiste, Eduart Shalsi reagoi dje në lidhje me deklaratat e fundit të bëra nga Ministri i Ekonomisë, Ridvan Bode. Sipas Shalsit, ministri duhet të merret me krizën ekonomike që po rëndon çdo ditë shqiptarët e jo me opozitën. “është për të ardhur keq që Ministri i Financave, përgjegjësi kryesor për rrënimin ekonomik dhe financiar të shqiptarëve gjatë viteve të fundit, në vend që të merret me krizën ekonomike, ku e ka zhytur Shqipërinë, gjen kohë dhe merret me opozitën”, deklaroi Shalsi.
Sipas tij, opozita ka mbi 10 muaj që ka ngritur kambanat e alarmit të krizës ekonomike, por se ato nuk dëgjohen as nga Qeveria dhe as nga ministri Bode. “Fatkeqësisht, Qeveria e Saliut dhe e Ridvanit, jo vetëm që ka qenë e paaftë për të parandaluar krizën ekonomike, por është dhe e paaftë për të dëgjuar këshillat e opozitës, që ka mbi 10 muaj që i bie kambanave të alarmit. Një Qeveri që ka ndaluar së investuari, që nuk ndalon dot inflacionin dhe çmimet e rritura, që nuk arrin dot të mbledhë të ardhurat nga taksat dhe nga tatimet, që e ka çuar borxhin e brendshëm në vlera të llahtarshme, që tallet me pensionistët duke bërë rritjen më të ulët të këtyre 10 viteve të fundit, nuk duhet të ketë kurajo të flasë për ekonominë e qëndrueshme. Të vetmit njerëz që përfitojnë nga kriza ekonomike, janë ministrat dhe Saliu”, thekson më tej Shalsi.