E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votat i numërojnë të gjithë

Eksperti i kodit zgjedhor shpjegon se partitë e vogla nuk përjashtohen nga procesi i numërimit të votave. Sipas tij, votat nuk numërohen vetëm nga PS-ja dhe PD-ja

Të gjitha partitë e vogla do të kenë mundësinë që të bëhen pjesë e procesit të numërimit të votave, edhe pse nuk janë pjesë e komisioneve. Këtë e tha dje eksperti i Partisë Socialiste për kodin zgjedhor, Damian Gjiknuri, i cili shpjegoi sesi do të realizohet procesi zgjedhor në përputhje me kërkesat e partive të vogla. “Çdo tavolinë numërimi do të jetë e mbikëqyrur nga një kamerë me rezolucion të lartë, e cila në kohë reale do të transmetojë procesin e numërimit dhe fletët e votimit në ekran, si dhe do ta regjistrojë atë në media elektronike për çdo hetim të mëtejshëm. Në këtë kod i jepet kompetencë vëzhguesit të subjekteve të papërfaqësuar në numrin që, nëse nuk është dakord me vlerësimin e votës, të kërkojë kontestimin e saj dhe kjo kërkesë automatikisht pranohet”, shpjegoi Gjiknuri. Po ashtu, Gjiknuri tha se ulja e numrit të komisionerëve ishte një kërkesë e qartë e OSBE/ODIHR-it, prandaj është përcaktuar numri 7, sikurse ishte parashikuar në Kushtetutë deri në vitin 2006. Eksperti socialist tha gjithashtu, se çdo alterim apo kërkesë alternative për rritjen e numrit të komisionerëve do të hapte pretendimet nga çdo parti që të kërkojë përfaqësim në komision, duke zhvlerësuar kështu rekomandimin bazë të OSBE/ODHIR-it për këtë çështje dhe duke hapur rrugën e përsëritjes së problemeve të mëparshme në lidhje me komisionet zgjedhore. “Është e vërtetë që PD-ja dhe PS-ja kanë të drejtë të propozojnë nga dy anëtarë, por kjo shkon në raport të drejtë edhe me përfaqësimin dhe peshën që ato kanë në Kuvend, si dhe njëkohësisht me detyrimin që ato kanë të imponojnë disa standarde që kanë të bëjnë me përfaqësimin gjinor në KQZ. Kjo e fundit është edhe një kërkesë e fortë e faktorëve ndërkombëtarë, të cilët kërkojnë që të paktën 30 për qind e administratës zgjedhore të përfaqësohet nga secila gjini. Dy vendet e tjera të KQZ-së, përveç kryetarit, janë propozime të partive të vogla, respektivisht të mazhorancës dhe opozitës, pa bërë dallim se cilës parti do t’i përkasë. E njëjta logjikë shoqëron edhe formimin e komisioneve të tjera në të gjithë nivelet, por me një dallim që vendi i partive të vogla i takon partisë që është e dyta në secilin grupim”, vijoi Gjiknuri. Sipas tij, me zvogëlimin e numrit të anëtarëve të GNV-ve, me diversitetin politik të përfaqësimit me short, me përcaktimin e qartë të të drejtave që kanë vëzhguesit në proces, dhe sidomos me aplikimin e teknologjisë së informacionit, procesi i numërimit do të bëjë hapa përpara dhe nuk e rrezikon aspak votën e shqiptarëve.  

Numërimi i votave

-Numërimi do të vazhdojë të jetë i përqendruar në nivel Zone Administrimi Zgjedhor (ZAZ), që do të thotë se për çdo qark do të ketë disa të tilla në varësi të numrit të zgjedhësve.

-Grupet e numërimit do të jenë nga 5-10 për çdo ZAZ. Grupet do të përbëhen nga 4 persona dhe ku vetëm 2 i përkasin PD-PS, ndërsa dy të tjerë do të caktohen me short nga përfaqësuesit e partive të mazhorancës dhe opozitës. Pra, në rreth 60-70 ZAZ që do të jenë në rang vendi, do të hidhet shorti për çdo njërën prej tyre se cila parti e majtë apo e djathtë do të përfaqësohet në grupet e numërimit.

- Çdo tavolinë numërimi do të jetë e mbikëqyrur nga një kamera me rezolucion të lartë, e cila në kohë reale do të transmetojë procesin e numërimit dhe fletën votimit në ekran, si dhe do ta regjistrojë atë në media elektronike për çdo hetim të mëtejshëm.

- I jepet kompetencë vëzhguesit të subjekteve të papërfaqësuar në numërim që, nëse nuk është dakord me vlerësimin e votës, të kërkojë kontestimin e saj dhe kjo kërkesë automatikisht pranohet.

Formulat e shpërndarjes së mandateve

- Formula “D’hondt” për ndarjen e mandateve për koalicionet është metoda më e përhapur e llogaritjes që përdoret në vendet që aplikojnë sistemin tonë elektoral. Kjo formulë me fjalë të tjera quhet formula e mesatares më të lartë të votës dhe siguron një raport të drejtë mes votës dhe përfaqësimit me mandate, por që u jep një avantazh të lehtë subjekteve të mëdha.

-Formula tjetër “Sainte Lague” është formula më afër propocionalitetit, duke siguruar përfaqësim edhe për partitë e vogla brenda koalicioneve dhe duke korrigjuar avantazhin që jep “D’hondt” për partitë e mëdha. Pra, të dy formulat të kombinuara, sigurojnë përfaqësim të drejtë mes koalicioneve, dhe rezultat të drejtë mes partive brenda koalicioneve.

-Formulat favorizojnë subjektet që grupohen në koalicione. Leximi përpara zgjedhjeve i formacioneve dhe aleancave politike ndihmon më shumë zgjedhësit në përcaktimin e zgjedhjes së duhur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›