E Diel, 1 Nëntor 2026

Starti i fitores së Berishës me 28 qershor

Kuvendi i Partisë Demokratike ka miratuar dje alternativën e fitores, të prezantuar nga kryeministri Sali Berisha. Hapja e 160 mijë vendeve të reja të punës dhe ruajtja e ritmeve rekord të rritjes ekonomike paraqiten si prioritetet e një mandati qeverisës, që do të finalizojë integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian

TIRANE - Partia Demokratike mblodhi dje Kuvendin elektoral, në të cilin u lançua platforma elektorale dhe programi elektoral për 4 vitet e ardhshme. I organizuar nën kujdesin e një grupi përfaqësuesish të Partive Popullore Evropiane, kryeministri Sali Berisha kryesoi kuvendin, duke prezantuar para të gjithë shqiptarëve objektivat e platformës elektorale të partisë në pushtet, Partisë Demokratike.
Në prezencë të simpatizantëve, delegatëve të PD-së, ministrave dhe deputetëve të PD-së, kryeministri Berisha bëri një rezyme të përgjithshme të të gjitha arritjeve të kabinetit qeveritar, në katër vitet që po mbyllen. Kryeministri vlerësoi si të suksesshme reformat e qeverisë që ai drejton dhe u shpreh për thellimin e mëtejshëm të tyre gjatë mandatit të dytë qeverisës.
Qeveria “Berisha” bëri të mundur që Shqipëria të renditet e dyta në botë për suksesin e reformave, në 10-shen më të mirë në botë për sukseset në luftën kundër korrupsionit. Gjatë kësaj qeverisjeje, Shqipëria u vlerësua si vendi me rritjen ekonomike më të lartë në Evropë në vitin 2008 dhe që parashikohet të jetë vendi me rritjen më të lartë ekonomike në vitin 2009.
Vitet 2005-2009 ishin vitet e dyfishimit të rrogave dhe pensioneve. Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë dhe në botë, që dyfishoi rrogat dhe pensionet për 300 000 punonjësve dhe pensionistëve dhe rriti me 50-70 % rrogat e mbi 500 000 të tjerëve, duke parakaluar kështu edhe disa vende të BE. Shqipëria, në vendin e 67-të në botë, për cilësinë e jetesës, duke lënë mbrapa 127 vende të tjera, ndërkohë që 18 vjet më parë renditej e 3-ta ose e 4-ta në botë më e varfra.
Qeveria “Berisha” e shndërroi Shqipërinë në vendin e suksesit rajonal. Në sajë të reformave të thella dhe të gjithanshme, u bë e mundur anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, dhe u ndërmor një tjetër hap po aq madhor, siç është kërkesa për statusin e vendit kandidat në BE, që pritet të merret në shqyrtim nga Këshilli Evropës në ditët në vijim. Ndërkohë që Shqipëria është në prag të lëvizjes së lirë, prioritet që do të realizohet deri në fund të këtij viti.
Në vijim, kreu i qeverisë deklaroi se në katër vitet e ardhshme do të arrihet një tjetër horizont për zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Kryeministri premtoi dyfishim të investimeve infrastrukturore, hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e mëtejshme të pagave dhe pensioneve. Në katër vite janë hedhur bazat e reformave që do ndërmarrë qeveria “Berisha” në mandatin e dytë. Kryeministri theksoi përqendrim maksimal në reformën e sistemit të shëndetësisë. Gjithashtu, kryeministri deklaroi se mandatin e dytë qeveria demokratike do të zgjidhë çështjen e pronave dhe njëherazi u kërkoi pronarëve të mos humbasin qetësinë, sepse qeveria ka një detyrim madhor ndaj tyre.
Berisha shtoi se “Duart e pastra” do ta çojnë Shqipërinë drejt niveleve shumë të larta duke shtuar se objektivi i PD-së do të jetë lufta kundër korrupsionit, do të nxirren jashtë korrupsionit pronat dhe hipotekat të cilat u krijojnë vështirësi qytetarëve.
Shefi i qeverisë premtoi se në mandatin e ardhshëm, integrimi në strukturat evropiane, do të shndërrohet në realitet të prekshëm për çdo shqiptar. Berisha konfirmoi se Shqipëria do të njohë një zhvillim të madh në mandatin e ardhshëm, duke lënë pas madje disa vende të Bashkimit Evropian.
Kuvendin e Partisë Demokratike e përshëndetën edhe ministrat Sokol Olldashi dhe Ridvan Bode. Kreu i Transporteve deklaroi se mazhoranca e djathtë ka investuar në infrastrukturën rrugore më shumë se 178 miliardë lekë. Duke u fokusuar në investime konkrete, Olldashi vlerësoi ndërtimin e autostradës gjigante Durrës-Kukës, e cila është drejt përfundimit.
“Korridori i madh i shqiptarëve, aorta, korridori Durrës-Kukës, është sot në 16 metrat e fundit të tunelit”, tha Olldashi. Olldashi tha se në katër vite të qeverisjes qeveria ia doli ta kthejë infrastrukturën nga një pengesë reale për zhvillim në një infrastrukturë moderne. Olldashi tha se “në këto katër vjet investimet në rrugët e vendit janë rritur ndjeshëm, janë investuar 178 miliardë lekë, kur në periudhën 2002-2005 u investuan 24 miliardë lekë. Vendit i janë shtuar 5 983 km rrugë të reja, ose e thënë ndryshe në çdo ditë të qeverisjes sonë janë ndërtuar 4 km autostradë”, tha Olldashi.
Ndërsa sekretari i Përgjithshëm i PD dhe njëherazi ministri i Financave Ridvan Bode, duke përshëndetur punimet e kongresit të Partisë Demokratike, u shpreh se “ne do të fitojmë përsëri se kemi një ëndërr, një dëshirë që na inspiron pa fund, Shqipërinë tonë të dashur, familjet tona të shtrenjta, qytetarin tonë të lire”.
 Duke folur për një fitore që sipas tij PD-e meriton, Bode tha se “ne sollëm ndryshimin anekënd vendit dhe veç të suksesshmit fitojnë”.
Ndër këto suksese Bode kujtoi se “ëndrra jonë ishte Shqipëria në NATO dhe sot jemi anëtarë mes 25 kombeve të tjera që i kontribuojnë paqes, stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies kudo në botë”.
Ministri i Financave foli dhe për politikat ekonomike të zbatuara nga qeveria, duke deklaruar se “në mandatin tonë të parë, Shqipëria është sot vendi me taksat më të ulëta në Evropë, vendi me liritë fiskale më të mëdha në botë, zuri vendin e dytë për thellësinë e reformave ekonomike në të gjithë rruzullin tokësor”.
Duke folur mbi strategjitë ekonomike të ndjekura, Bode tha se “megjithëse taksat u ulën dy herë, në mandatin e parë të ardhurat në buxhetin e shtetit u dyfishuan, pasi dominuam mbi korrupsionin, informalitetin dhe kontrabandën e ish pushtetarëve”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›