E Diel, 1 Nëntor 2026

"Në fillim të mandatit të dytë, shqiptarët do të lëvizin pa viza"

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha

Tiranë (23 maj), - Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, deklaroi dje se “në mandatin tonë të dytë shqiptarët do të lëvizin pa viza si evropianë, të barabartë mes evropianëve”.
Këtë deklaratë ministri Basha e bëri gjatë fjalës së tij përshëndetëse mbajtur në Kongresin Elektoral të PD-së. Ministri Basha kujtoi se “vetëm me vullnetin e hekurt të kësaj qeverie ia dolëm të rrëzojmë muret e izolimit që ishin krijuar nga krimi, korrupsioni dhe keq-qeverisja socialiste”.
Ministri Basha kujtoi se ishin reformat e suksesshme të qeverisjes së djathtë që bënë të mundur arritjet e mëdha që Shqipëria ka pësuar përgjatë këtyre 4 viteve.
“Shqipëria nisi rrugën e saj drejt NATO-s dhe BE-së. Njëri pas tjetrit udhëheqësit euroatlantikë konfirmuan mbështetjen për qeverinë Berisha dhe reformat që kanë ndryshuar vendin. Krah për krah me Kryeministrin Berisha, Presidenti i SHBA-së, George W. Bush, përcolli nga Tirana dy mesazhe historike: Kosova e pavarur dhe Shqipëria në NATO”, tha ministri Basha. Shefi i Diplomacisë shqiptare tha se “Së bashku, ne i dhamë fund padrejtësisë historike, pasi Kosova e pavarur, demokratike dhe euroatlantike, është sot shteti më i ri i Evropës”.
Duke folur për realitete që shqiptarët tashme i kanë prekur, Ministri i Punëve të Jashtme tha se “për Shqipërinë u bë realitet ëndrra e anëtarësimit në NATO”.
Duke kujtuar punën që është bërë nga qeveria deri në arritjen e këtij momenti historik, Basha tha se “Kryeministri Berisha nënshkroi MSA-në dhe hapi kapitullin e ratifikimit të saj në një kohë rekord nga 27 vendet anëtare të BE-së, që votëbesuan qeverinë shqiptare dhe reformat e saj”.
Duke kujtuar suksesin më të fundit të qeverisë, dorëzimin e kërkesën për anëtarësim të plotë në BE, Ministri Basha tha se “procesi i liberalizimit të vizave është në rrugë të mbarë dhe në fillim të mandatit tonë të dytë ne do të lëvizim pa viza, si evropianë të barabartë mes evropianëve”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›