Starton Serie A, pritet rivalitet më i madh

Sezoni i ri në Serie A fillon këtë fundjavë dhe pritet të sjell rivalitet më të madh se edicionin e kaluar kur Juventus kryesoi nga fillimi e deri në fund dhe rrëmbeu titullin disa xhiro para fundit. Edhe pse gjiganti torinez është përforcuar edhe më tepër me angazhimin e sulmuesve të mirënjohur Carlitos Tevez dhe Fernando Llorente kurse bleu edhe mbrojtësin Angeli Ogbonna nga Torino, edhe rivalët e posaçërisht Napoli e Fiorentina nuk ia kanë lënë keq.
Kampioni në fuqi Juventus do të jetë mysafir i Sampdorias të shtunën mbrëma në një duel ku do të konsiderohen pa dyshim favorit. Por, ‘Bianconerët’ nuk kanë fituar te skuadra nga ‘Marassi’ nga marsi i vitit 2006, kurse Sampdoria i mposhti në të dyja duelet e edicionit të kaluar. Por, lajm i keq për Sampdorian është se Juventus u shfaq në formë të jashtëzakonshme të dielën e kaluar kur mposhti Lazion me rezultat 4-0 në ‘Olimpico’ në Superkupën e Italisë.
Edicionin e ri në Serie A do ta hap Milani që paraqitet në udhëtim te Verona – skuadër e promovuar këtë stinor – në ballafaqimin që fillon në ora 18:00./indeksonline/