Vizat, MPJ: Shqipëria, angazhim për hapat e mbetur
Ministria e Punëve të Jashtme mirëpret miratimin e raportit të eurodeputetes Tanja Fajon nga Parlamenti Evropian në lidhje me liberalizimin e vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor. Përmes zëdhënësit të saj, Ralf Gjoni, MJ-ja bëri dje të ditur se kjo rezolutë dhe deklarata që e bashkëshoqëroi atë në emër të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, e pranuar edhe nga Komisioni Evropian, është një mbështetje e fuqishme për Shqipërinë dhe për të gjithë rajonin. Sipas MJ-së, propozimi për përfshirjen e menjëhershme të Shqipërisë në aneksin e dytë të vendeve të cilave nuk u nevojitet vizë për në BE, sapo ajo të përmbushë detyrimet e mbetura, dëshmon për përkrahjen e gjerë dhe të fuqishme që gëzon vendi ynë për të realizuar lëvizjen pa viza të qytetarëve dhe për të avancuar bindshëm në rrugëtimin tonë evropian pa vonesa. Qeveria shqiptare i siguron të gjithë partnerët tanë evropianë se ne do të përmbyllim me sukses dhe pa humbur kohë të gjitha detyrimet e mbetura në këtë proces dhe se angazhimi ynë do të vazhdojë të jetë po kaq intensiv në çdo etapë të marrëdhënies sonë me Bashkimin Evropian. Ministria e Punëve të Jashtme, duke vlerësuar përkrahjen e plotë të të gjitha institucioneve të Bashkimit Evropian, është e vendosur në realizimin e hapave të mbetur dhe shpreh bindjen se lëvizja pa viza e qytetarëve shqiptarë në hapësirën “Shengen” do të realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur, brenda vitit 2010.