E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet përgjegjësi i Auditit në Drejtorinë e Burgjeve



Një zyrtar i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve është vënë në pranga me akuzën e korrupsionit. Bëhet fjalë për përgjegjësin e Auditit të Brendshëm në këtë drejtori të rëndësishme, i cili sipas burimeve policore i ka marrë një shtetasi një shumë të konsiderueshme për t’i kryer një favor. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur se kanë vënë në pranga shtetasin Artur Brahaj, përgjegjës i Auditit të Brendshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, i akuzuar për veprën penale të “korrupsionit pasiv”. Po sipas burimeve, Drejtoria Kundër Krimit Financiar në bashkëpunim me policinë e Qarkut Lezhë organizoi dje operacionin e koduar “Shën Kolli”, ku vuri në pranga shtetasin Brahaj, 39 vjeç, lindur në Shkodër e banues në Tiranë. Sipas burimeve nga policia, arrestimi i tij u krye, pasi dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Nga hetimet e kryera nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit ka rezultuar se 39-vjeçari Brahaj, duke ushtruar detyrën si përgjegjës i Auditit të Brendshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve i ka marrë një shtetasi 100 mijë lekë, kundrejt lëvrimit të një fondi për ekzekutimin e një vendimi gjyqësor për largimin e padrejtë nga puna. Sipas burimeve policore, këto fakte janë zbuluar falë metodave speciale të përdoruara nga policia, si përgjime telefonike dhe filmike, të cilat janë konsideruar si prova të forta nga agjentët. Materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për hetime të mëtejshme. Ndërkohë që 39-vjeçari u shoqërua në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›