E Diel, 1 Nëntor 2026

Statusi i "Dëshmorit të Atdheut", Berisha shmang Metën

Rriten kompetencat e ministrit të Shtetit, Genc Pollo. Këshilli i Ministrave ka firmosur dje që ministri i Shtetit të emërohet kryetar i Komisionit Qendror për Dhënien e Statusit "Dëshmor të Atdheut". Duke iu referuar ligjit të mëparshëm, këtë të drejtë e mbante zv.kryeministri, por duket se Kryeministri Berisha për të rregulluar balancat, por edhe për të shmangur ‘konfliktin e interesit‘, ka vendosur të ndryshojë rregullat duke spostuar të drejtat nga zv.kryeministri te ministri i Shtetit. Pjesa masive e veteranëve, por edhe brezit të tretë në vendin tonë i përkasin të majtës dhe për koincidencë zv.kryeministri i qeverisë "Berisha" i përket një force të majtë. Kjo "përplasje" duket se ka detyruar kreun e qeverisë të vendosë rregulla të reja. Brenda të njëjtës mbledhje ka shtuar kompetencat e ministrit të Jashtëm, duke e ngarkuar atë me detyrën e drejtuesit të procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian dhe procesin e liberalizimit të vizave. Qeveria ka ndërmarrë dje disa ndryshime në vendimin nr. 151, datë 25.04.2002 të Këshillit të Ministrave "për statusin Dëshmor i Atdheut". Në shkronjën "a", të pikës 1, të vendimit nr. 151, datë 25.04.2002, të Këshillit të Ministrave, thuhej se "Përbërja e Komisionit Qendror për Statusin ‘Dëshmor i Atdheut‘ pranë Këshillit të Ministrave, mban si kryetar zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale". Por, vendimi i ndryshuar zëvendëson fjalën zv.kryeministër me ministër Shteti. "Komisioni Qendror për dhënien e statusit "Dëshmor i Atdheut" kryesohet nga ministri i Shtetit për Reformat dhe Marrëdhëniet me Kuvendin. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare. Nënkryetar do të jetë zv.ministri i Mbrojtjes dhe anëtarë do të jenë zv.ministri i Drejtësisë, zv.ministri i Brendshëm dhe dy përfaqësues të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të LANÇ-it.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›