Ndoka kundër Mediut: Jo ndryshim të koalicionit
Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka flet për defektet e qeverisjes dhe reformat që duhen ndërmarrë
TIRANË- Kreu i PD-së dhe ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka thotë se qeveria e Kryeministrit Berisha nuk është një qeveri ideale, qeverisja e saj ka mjaft probleme dhe ka vend për përmirësim të punës së saj. Në një intervistë për "Shekullin", Ndoka kërkon më shumë ritëm në qeverisje, më shumë eficiencë në menaxhim, në mënyrë që të përshpejtohen proceset, sidomos në kuadër të reformave që duhet të përshpejtohen, pasi sipas tij, nuk ka asnjë minutë kohë për të humbur. Duke bërë një analizë të asaj çfarë nuk shkon mirë në qeverinë "Berisha", kreu i PDK-së e vë theksin tek administrata publike, e cila është deformuar në ndikimin e politikës dhe në shumë raste nuk është efektive në menaxhimin e qeverisjes. "Ne duhet të punojmë vazhdimisht, për të ndërtuar një administratë të aftë, profesionale, të përshtatshme për një shtet modern evropian. Ne duhet të dalim nga mentaliteti që t'iu gjejmë njerëzve një punë. Ne duhet t'i gjejmë punës njeriun që është i aftë ta kryejë me sukses",- thotë Ndoka. Përsa i përket çështjes së riformatimit të koalicionit të djathtë, e bërë pak ditë më parë nga ministri Fatmir Mediu, kreu i Partisë Demokristiane është i mendimit se tashmë e djathta është konsoliduar dhe dihet kush janë partitë e spektrit të djathtë, ndonëse koalicionet zgjedhore dhe qeverisëse shpesh i tejkalojnë kufijtë, duke marrë edhe segmente të së majtës ose të së djathtës. Në këtë kuptim, ministri Ndoka thotë se e djathta është e qartë në vizionin e saj politik, ka një identitet të qartë, duke hedhur poshtë idenë e riformatimit të saj.
Tashmë mjaft aleatë të PD-së po shprehen për nevojën e ndryshimeve në qeveri, në një kohë që duket sikur Kryeministri nuk po e merr në konsideratë këtë. Si gjykoni, a ka ardhur koha që qeveria të ndryshojë?
Çdo qeveri në botë, sado efektive që të jetë në qeverisjen e saj, është e kritikueshme, qoftë nga mendjet kritike që aspirojnë një vizion ideal për botën, qoftë nga opozita, e cila kërkon rikthimin në pushtet. Qeveria e kryeministrit Berisha, sigurisht që nuk është një qeveri ideale, një qeveri të cilën nuk ke se për çfarë ta kritikosh. Por, e them me bindje se është qeveria më e mirë që shqiptarët kanë pasur në këta shtatëmbëdhjetë vjet, një qeveri e reformave të thella dhe e projekteve të mëdha. Efektet e projekteve dhe reformave të kësaj qeverie, shqiptarët do t'i ndjejnë edhe për shumë vite në të ardhmen e tyre. Kjo është një e vërtetë e pamohueshme. Ne presim tashmë marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, i cili nuk është thjesht objektiv madhor i kësaj qeverie, por i të gjithë faktorit politik shqiptar, i të gjithë qytetarëve shqiptarë. Anëtarësimi në NATO është një interes jetik kombëtar, që i tejkalon interesat politikë partiakë dhe qëndron bile edhe mbi interesat e kësaj qeverie. Është interesi i Shqipërisë, në radhë të parë, që duhet të na bashkojë të gjithëve, sepse të gjithë kemi përgjegjësi që të sigurojmë një perspektivë për vendin tonë, një të ardhme të sigurt për vendin tonë. Qeveria ka bërë maksimumin, për të realizuar ato objektiva që i mundësojnë asaj anëtarësimin në NATO. Për fat të mirë edhe opozita e ka kuptuar se duhet të bashkëpunojë me qeverinë, ta ndihmojë atë për të arritur këtë objektiv. Fundja, të gjithë e dimë se anëtarësimi në NATO nuk është thjesht një garanci ushtarake, një mbrojtje ushtarake e Shqipërisë. Anëtarësimi në NATO është shumë më tepër: është garanci politike, është mbrojtje politike, është siguri që krijon perspektiva të reja për zhvillimin, investimet, progresin, shndërrimin e Shqipërisë në një vend modern evropian. Qeveria ka një vullnet të palëkundur për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm që e mundësojnë marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO.
Natyrisht përballë këtij angazhimi të madh të qeverisë ka edhe zëra kritikë, madje edhe brenda radhëve të mazhorancës, por natyrisht, kur kërkojmë ndryshime duhet të jemi më objektivë dhe më largpamës. Ndryshimet thjesht për imazh, apo thjesht për të thënë se bëmë ndryshime, i bëjnë vetëm ato qeveri që duan të zgjasin jetën në pushtet edhe disa muaj më shumë. Kjo qeveri ka punë për të kryer, objektiva për të përmbushur. Ajo nuk vuan nga shqetësimi se si të qëndrojë edhe disa muaj në pushtet. Megjithatë i mirëkuptoj edhe zërat për ndryshime, të cilët janë krejtësisht normalë në një shtet demokratik, në një shoqëri të lirë.
Si ministër, por edhe si kryetar i një force politike në bashkëqeverisje me PD-në, a mund të na thoni se cilat janë problemet që ka sot kjo qeveri dhe qeverisja e saj? Në këtë drejtim, çfarë duhet të përmirësohet?
Mendoj se probleme ka shumë, pra ka edhe shumë vend për përmirësimin e punës së qeverisë. Së pari, ne duhet të kemi më shumë ritëm, të jemi më eficientë në menaxhim, të përshpejtojmë proceset, sepse nuk kemi asnjë minutë kohë për të humbur. Administrata duhet të shkundet, të rrisë efektivitetin e saj menaxhues. Ne vërtetë kemi tashmë një administratë civile, por jo në të gjitha rastet kjo administratë është efektive në menaxhimin e qeverisjes, për të mos folur pastaj për deformimet që i janë bërë asaj nën ndikimin e politikës. Ne duhet të punojmë vazhdimisht për të ndërtuar një administratë të aftë, profesionale, të përshtatshme për një shtet modern evropian. Ne duhet të dalim nga mentaliteti që t'iu gjejmë njerëzve një punë. Ne duhet t'i gjejmë punës njeriun që është i aftë ta kryejë me sukses. Vetëm kështu do të shkojmë përpara. Dhe kjo nuk e dëmton dimensionin social të shtetit. Përkundrazi e forcon. Sepse vetëm një shtet i zhvilluar dhe me potencial ekonomik të sigurt është i aftë të përmbushë edhe misionin social, kujdesin për njerëzit në nevojë, pra të krijojë një fytyrë humane të vetën. Natyrisht, problem tjetër është përshpejtimi i reformave, guximi dhe vendosmëria për kryerjen e tyre, pavarësisht kostove që krijojnë. Gjithashtu problem mbetet menaxhimi më i mirë i investimeve, duke pasur gjithnjë në sy vizionin se ku duam të shkojmë, çfarë perspektive kemi si vend, si shoqëri, krahas investimeve madhore, siç është ndërtimi i aksit rrugor që lidh Shqipërinë me Kosovën. Duhet të përqendrohemi më shumë edhe në ata sektorë jetikë të ekonomisë, të cilat mendohet se do të përfaqësojnë zhvillimin e Shqipërisë së nesërme, si energjetika, turizmi, infrastruktura, mjedisi, bujqësia etj., si dhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve që ofrojmë për qytetarët. Pra, kemi shumë gjëra për të përmirësuar, por kjo nuk do të thotë se kjo qeveri e ka harxhuar potencialin e saj qeverisës dhe ndryshimet janë bërë të domosdoshme, ose pengesë për zhvillimin.
Përveç kërkesave për ndryshime në qeveri, tashmë po shtohen edhe kërkesat për riformatim të koalicionit të djathtë. Një kërkesë e tillë është bërë pak ditë më parë nga ministri Mediu. Ju, i bashkoheni kësaj kërkese, mendoni se koalicioni ka nevojë të riformatohet dhe në gjykimin tuaj, cilat janë problemet qe ka sot ky koalicion?
E djathta dhe e majta në Shqipëri kanë qenë në proces formimi gjatë këtyre viteve të tranzicionit. Mospasja e identiteteve të qarta politike ka bërë që shpesh politikanët të qarkullojnë nga një bllok politik tek tjetri, si pa gjë të keq. Tashmë procesi ka evoluar dhe partitë politike kanë krijuar identitetet e tyre politike, të djathtë ose të majtë. E djathta tashmë është e konsoliduar dhe dihet kush janë partitë e spektrit të djathtë, pavarësisht se koalicionet zgjedhore ose qeverisëse mund t'i tejkalojnë kufijtë, duke marrë edhe segmente të së majtës ose të së djathtës. Këto lëvizje janë të natyrshme dhe ndodhin shpesh në Evropë. Edhe e majta po përpiqet të rikonceptojë identitetin e vet, pavarësisht se lëvizja "për një politike të re" e Edi Ramës, më kujton hartimin e Qemal Stafës "E vjetra po shembet kohët po ndryshojnë...". Natyrisht, Shqipëria nuk është një gërmadhë, ku pritet "të lulëzojë një jetë e re", por është një shtet që po ecën në rrugën e duhur, që po konsolidon institucionet e tij demokratike, ekonominë e tregut të lirë, pronën private dhe një perspektivë të qartë Euro-Atlantike. Në këtë perspektivë, tashmë e djathta është e qartë në vizionin e saj politik dhe ka një identitet të qartë të njohur nga publiku dhe të përkrahur prej tij, si shpresa reale e ndryshimit dhe e ardhmërisë.
Po përsa i përket reformës zgjedhore dhe asaj në drejtësi, cili është qëndrimi i PDK-së dhe mendoni se ato do te realizohen deri në prill, kur zhvillohet Samiti i Bukureshtit? Mendoni se politika shqiptare do të dijë të dalë me interesat e saj të ditës, për të bërë të mundur realizimin e tyre?
Bëhet shumë debat për reformën zgjedhore, por kryerja e kësaj reforme nuk paraqet ndonjë vështirësi substanciale. Nëse të gjitha palët kanë vullnetin e duhur, ne mund të bëjmë një ligj zgjedhor që të garantojë dhe të shprehë vullnetin real politik të votuesve shqiptarë, atëherë reforma zgjedhore mund të kryhet me sukses dhe shpejt në kohë. Unë besoj se palët tashmë e kanë kuptuar këtë dhe më vjen mirë të theksoj se ka një frymë të admirueshme bashkëpunimi, që klasa politike shqiptare nuk e ka pasur kurrë më parë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për reformën në drejtësi. Ne si demokristianë kërkuam publikisht përgjegjësi dhe bashkëpunim nga të dy krahët, për realizimin e kësaj reforme. Ne na vjen mirë që edhe socialistët iu përgjigjën pozitivisht kërkesës sonë, frymës sonë bashkëpunuese. Tashmë e pohoj me kënaqësi, se kemi një klasë politike që ka filluar të reflektojë gabimet e veta të së shkuarës, një klasë politike që është më e përgjegjshme për fatet e vendit. Kjo me jep sigurinë, të them se klasa e tanishme politike do t'i përmbushë detyrimet e saj para Samitit të Bukureshtit.
"Natyrisht, përballë këtij angazhimi të madh të qeverisë ka edhe zëra kritikë, madje edhe brenda radhëve të mazhorancës, por natyrisht, kur kërkojmë ndryshime duhet të jemi më objektivë dhe më largpamës. Ndryshimet thjesht për imazh, apo thjesht për të thënë se bëmë ndryshime, i bëjnë vetëm ato qeveri që duan të zgjasin jetën në pushtet edhe disa muaj më shumë. Kjo qeveri ka punë për të kryer, objektiva për të përmbushur".
"Administrata duhet të shkundet, të rrisë efektivitetin e saj menaxhues. Ne vërtetë kemi tashmë një administratë civile, por jo në të gjitha rastet kjo administratë është efektive në menaxhimin e qeverisjes, për të mos folur pastaj për deformimet që i janë bërë asaj nën ndikimin e politikës. Ne duhet të punojmë vazhdimisht, për të ndërtuar një administratë të aftë, profesionale, të përshtatshme për një shtet modern evropian".
"E djathta tashmë është e konsoliduar dhe dihet kush janë partitë e spektrit të djathtë, pavarësisht se koalicionet zgjedhore ose qeverisëse mund t'i tejkalojnë kufijtë, duke marrë edhe segmente të së majtës ose të së djathtës. Këto lëvizje janë të natyrshme dhe ndodhin shpesh në Evropë".