E Diel, 1 Nëntor 2026

Statusi i Shqipërisë, Lohan: Shqyrtimi, brenda tetorit



Kandidatura e Shqipërisë do të shqyrtohet gjatë kësaj vjeshte. Një fakt të tillë e konfirmoi kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmuth Lohan, i cili tha për mediat se Këshilli i Ministrave të BE-së do të hartojë një opinion për kërkesën e Shqipërisë. Lohan tha se Shqipëria do të japë përgjigje për më shumë se 2 mijë pyetje, në mënyrë që kandidatura e saj të miratohet

Integrimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian do të marrë një përgjigje definitive brenda muajit tetor. Ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmuth Lohan, tha për mediat se brenda këtyre muajve do të jepet një opinion për kandidaturën e Shqipërisë, e cila nga ana e saj do të duhet të japë përgjigje për 2 mijë pyetje. Loran tha më tej se Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian do të kërkojë leje nga Komisioni për të hartuar një opinion për aplikimin e Shqipërisë si vend kandidat për të hyrë në BE. "Pres që diku në vjeshtë, Këshilli i Ministrave të BE-së t'i kërkojë Komisionit Evropian lejen për të hartuar një opinion për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim”, - tha ambasadori Lohan. Lidhur me një përgjigje pozitive nga ana e Bashkimit Evropian, pritet të jetë edhe një pyetësor, i cili do të analizojë reformat e ndërmarra nga vendi. “Ne do t’i paraqesim qeverisë shqiptare një pyetësor që mbulon në detaje të gjitha aspektet e standardeve evropiane”, - shtoi Lohan.

Duke folur më shumë për këtë pyetësor, ambasadori i KE-së në Tiranë tha më tej se brenda një kohe të shkurtër, Shqipëria do të japë përgjigje për më se 2 mijë pyetje që do të ketë BE-ja. Ai tha se pas analizimit mund të ketë edhe pyetje shtesë. Rezultati i përgjigjeve do të përcillet në formën e një opinioni, i cili do t’u shpërndahet vendeve anëtare për të kërkuar një vendim në lidhje me kandidaturën e Shqipërisë si vend kandidat për të hyrë në Bashkimin Evropian. “Partnerët tanë shqiptare do të na japin përgjigje për më shumë se dy mijë pyetje brenda një kohe relativisht të shkurtër. Përgjigjet do të analizohen, mund të bëhen pyetje te tjera dhe në fund KE do të paraqesë opinionin e tij përpara shteteve anëtare, së bashku me rekomandimet nëse duhet apo jo t’i jepet statusi Shqipërisë", - deklaroi më tej Lohan. Ai rikonfirmoi dhe një herë faktin se që këtej e tutje kërkesa e llogarisë për politikën do të jetë më e madhe. Sipas tij, me afrimin e Shqipërisë në BE, hapet një perspektivë e re në lidhje me sfidat dhe kërkesat për gjithë shoqërinë shqiptare. BE do të kërkojë rritjen e mëtejshme të standardeve në vend. “E përmenda dhe më lart që aspekti i integrimit në të ardhmen më të afërt është mjaft i qartë, por doja të theksoja që duke ecur përpara, drejt integrimit, do të rriten dhe sfidat dhe kërkesat për klasën politike, liderët, administratën, mediat shqiptare dhe të gjitha standardet e tjera", - tha ambasadori i KE-së. Deklaratat Lohan i bëri gjatë ceremonisë se diplomimit të studentëve të Shkollës së Politikës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›