E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kastriot Islami: Rama pret që ne të largohemi nga PS-ja



Kreu i PS-së, Edi Rama, nuk i sulmon deputetët socialistë që e kundërshtojnë hapur atë dhe vendimin për bojkot, nuk i akuzon dhe as nuk u kthen përgjigje pretendimeve që ngrenë ata për autoritarizëm në parti dhe për proces të manipuluar zgjedhor në zgjedhjet e 28 shtatorit. Strategjia e Ramës duket se është heshtja, duke pritur largimin e tyre të vullnetshëm nga PS-ja. Këtë fakt e deklaron Kastriot Islami, një prej 5 deputetëve që kryesojnë “Lëvizjen për Mendim Ndryshe” në PS. Sipas tij, Rama pret që ata të largohen, por kjo s’do të ndodhë, sepse këta 5 deputetë dhe bashkë me ta dhe shumë të tjerë që janë pjesë e kësaj lëvizjeje, kanë vendosur të punojnë për idetë e tyre, duke qëndruar në partinë që kanë krijuar vetë. Islami merr shkas nga largimi më i fundit i deputetit Shpëtim Idrizi, i cili krijoi një parti të re dhe do të futet në Kuvend, duke hequr dorë një herë e mirë nga PS-ja. Sipas tij, ky largim mund të pasohet dhe nga veprime të ngjashme, për shkak të klimës autoritare që mbizotëron në Partinë Socialiste. "Me sa duket, kërkon të ketë një mekanizëm më të fuqishëm për të drejtat e komunitetit çam. Është një veprim jo i mirëpritur dhe ky është një mesazh në mënyrë të veçantë për kreun e PS-së, sepse ai po e drejton këtë proces. Të gjitha forumet e tjera, siç është Kryesia, janë jashtë veprimit gjatë kësaj kohe dhe nuk po konsultohen për të marrë vendime apo për të mbajtur qëndrime, qoftë dhe për rastin e largimit të zotit Idrizi. Është një mesazh për faktin që, me sa duket, ka një klimë jo të shëndetshme, të bashkëjetesës", - thotë Islami. Por, ai më tej parashikon skenarë për fatin e 5 kundërshtarëve të fortë të Ramës, të cilët në një moment të caktuar mund të kthehen dhe në Kuvend, duke thyer bojkotin e PS-së. "Nëse do të vazhdojë kjo frymë, natyrisht kjo do ta dobësonte më shumë PS-në, do të krijonte atë klimë që ndoshta ka qenë dhe një nga faktorët që e kanë bërë zotin Idrizi të largohet dhe kjo të shoqërohej me largime të tjera. Nuk e kam fjalën për ne të pestë që kemi një mendim më ndryshe, sepse jemi themelues të PS-së dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë në PS. Nuk do të tregohemi naivë që ne të bëjmë dhe atë që ata presin, qoftë dhe vetëpërjashtimin që është një term qesharak që nuk ekziston as në statut. Ndërkohë që përjashtimi nëse do të ndodhte, do të ishte një akt shumë i rëndë", - tha ai.

Ndërsa deputeti Islami bën të qartë se ata nuk do të bojkotojnë protestën e 10 tetorit dhe pse janë kundër bojkotit të Kuvendit. Islami thotë se protestat janë një rrugë demokratike, megjithatë është bojkoti i Parlamentit që dëmton Partinë Socialiste. Në rast se bashkë me protestat do të bëhej një luftë intensive në Kuvend, do të arrihej më shpejt transparenca e zgjedhjeve, sipas tij. Por, duke folur për bojkotin, ai thotë se “e para, bojkoti është një qëndrim i dënueshëm dhe kjo dihet. Komuniteti ndërkombëtar e ka shprehur qartë qëndrimin e tij ndaj bojkotit. Së dyti, bojkoti është një mekanizëm i pasuksesshëm dhe vetëvrasës. Dhe e treta, sa herë që Berisha e ka përdorur atë, nuk ka pasur sukses, ka pasur vetëm vetizolim dhe dëmtim të imazhit".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›