E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Statusi i deputetit”, çfarë përfitojnë ligjvënësit



Ligji për statusin e deputetit parashikon që paga e deputetit të vijë menjëherë pas pagës së ministrit, ndërsa paga e kryetarit të Kuvendit menjëherë pas pagës së Presidentit të Republikës dhe ajo e zëvendëskryetarëve barazohet me zëvendëskryeministrin. Paga e deputetit përbëhet nga paga për pjesëmarrjen e tij në seancë, në komisione dhe në veprimtari të tjera parlamentare. Gjithashtu, ai gëzon të drejtën e shpërblimit për pjesëmarrje në komisione, si drejtues i komisionit apo si drejtues i grupit parlamentar.
Deputeti që nuk banon në qytetin e Tiranës përfiton dietë gjatë kohës që merr pjesë në mbledhjet e Kuvendit, të komisioneve të tij, si dhe deri në 2 ditë në muaj për mbledhjet e grupit parlamentar, por jo më shume se 12 ditë dieta në muaj. Deputetët përfitojnë dieta kur shkojnë me shërbim jashtë qytetit të Tiranës deri në 6 ditë dietë në muaj. Dieta e kryetarit, zëvendëskryetarëve dhe e deputetëve do të jetë në masën 4 për qind të pagës mujore të tyre. Deputetët që shkojnë me shërbim jashtë shtetit nga Kuvendi përfitojnë dietë ditore sipas akteve të miratuara nga Kuvendi. Në rastet kur ai ftohet të marrë pjesë në delegacionet qeveritare, shpenzimet mund të mbulohen nga organi ftues. Deputetit dhe bashkëshortes së tij u njihet e drejta e pajisjes me pasaportë diplomatike gjatë kohës së kryerjes së mandatit, si dhe 3 vjet pas mbarimit të tij. Pranë çdo zone elektorale organet e qeverisjes vendore hapin zyra të veçanta pune për deputetët. Kryetari i Kuvendit, me pëlqimin e deputetëve, emëron në shërbim të deputetëve në këto zyra një sekretar, si rregull me arsim të lartë juridik, i cili pajiset me mjetet e nevojshme të punës. Fondet për nevojat e mësipërme përballohen nga Ministria e Pushtetit Vendor. Deputetit i njihet e drejta për t’u pajisur me numër telefoni dhe i garantohet shërbim telefonik i pandërprerë. Vlera e 700 impulseve të harxhuara për çdo deputet, 900 impulseve të harxhuara për zëvendëskryetarët e Kuvendit dhe vlera e çdo impulsi të harxhuar për kryetarin e Kuvendit, përballohet nga buxheti i Kuvendit. Për sëmundjet që shfaqen gjatë ushtrimit të detyrës dhe kur personeli shëndetësor vlerëson trajtimin e tyre të specializuar, deputeti mund të dërgohet për kurim jashtë shtetit. Fondet për këtë qëllim sigurohen nga Ministria e Shëndetësisë. Deputeti përfiton me përparësi të drejtën e strehimit ose i jepet kredi afatgjatë nga organet shtetërore përkatëse. Riparimi dhe mirëmbajtja e automjeteve në përdorim të deputetëve bëhet nga administrata e Kuvendit të Shqipërisë.

4 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›