E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, si do të ndryshojnë hierarkia dhe pagat në Tatime

Renditja e re do të imponojë dhe hierarkinë e re të pagave. Strukturimi për të gjitha nivelet e kësaj administrate

Habjon Hasani

Tiranë - Zbardhet skema e ristrukturimit të të gjitha niveleve të administratës tatimore. Struktura e re do të imponojë automatikisht dhe rivlerësimin e sistemit të pagave, i cili është i rregulluar me një tjetër vendim të Këshillit të Ministrave sipas kategorive përkatëse. Vendimi parashikon se do të jetë drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve ai që merr masat për respektimin e dispozitave të legjislacionit për nëpunësit civilë për institucionet e pavarura dhe të kritereve të këtij vendimi për; rekrutimin e punojësve, emërimet dhe lëvizjet e punonjësve, kohën, afatet dhe plotësimin e kushteve të tjera, për kalimin nga një nivel më i ulët në një nivel më të lartë karriere të punonjësve të administratës tatimore qendrore. Personeli, sipas detyrave, ndahet në punonjës të nivelit të lartë, të mesëm e të ulët drejtues dhe në punonjës ekzekutues, të kategorizuar sipas këtij vendimi. Drejtori i Përgjithshëm i përgjigjet klasifikimit: nëpunës civil i nivelit të lartë drejtues; zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i përgjigjet klasifikimi: nëpunës civil i nivelit të lartë drejtues.
Kategoritë
Ndërkohë që për të gjithë hierarkinë që vjen pas drejtorit të Përgjithshëm dhe zëvendësit të tij nivelet shkallëzohen në mënyrë progresive. Kategoria A i përgjigjet klasifikimit: nëpunës civil i nivelit të mesëm drejtues. Në këtë kategori përfshihen funksionet: drejtor drejtorie në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe drejtor i drejtorisë rajonale. Kategoria B i përgjigjet klasifikimit: nëpunës civil i nivelit të ulët drejtues. Në këtë kategori përfshihen funksionet: drejtor drejtorie në drejtorinë rajonale dhe përgjegjës sektori në Drejtorinë e Përgjithshme. Kategoria C1 i përgjigjet klasifikimit: nëpunës civil i nivelit të ulët drejtues. Në këtë kategori përfshihen funksionet: përgjegjës sektori/zyre në drejtorinë rajonale dhe njësitë e ngjashme me to dhe përgjegjës zyre në Drejtorinë e Përgjithshme. Kategoria C2 i përgjigjet klasifikimit: nëpunës civil i nivelit ekzistues. Në këtë kategori përfshihen inspektorët në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, të nivelit IVA dhe inspektorët në drejtoritë rajonale dhe njësitë e ngjashme me to, të nivelit IVA. Kategoria C3 i përgjigjet klasifikimit: inspektor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, të nivelit IVB dhe inspektor në drejtoritë rajonale dhe njësitë e ngjashme me to, të nivelit IVB. Kategoria D1 përfshin personelin ndihmës, si: llogaritar, arkëtar, shofer, magazinier, arkivist, sekretar, protokollist, centralist etj. dhe personel tjetër të ngjashëm me to. f) Kategoria D2 përfshin personelin tjetër ndihmës, që kryen shërbimet sanitare dhe të mirëmbajtjes së zyrave. Marrëdhëniet e punës për personelin e kategorive D1 e D2 rregullohen nga dispozitat e Kodit të Punës.
Rekrutimi
Sipas këtij vendimi, do të jetë drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve që me propozimin e drejtorit të Drejtorisë së Burimeve Njerëzore miraton procedurën e konkurrimit për këto vende të lira. Përzgjedhja e kandidatëve bazohet në vlerësimin e përshtatshmërisë së tyre me kërkesat e përshkrimit të vendit të lirë të punës dhe me kriteret e përcaktuara në tabelën e posaçme të kritereve. Përbëjnë përjashtim nga kriteret e edukimit arsimor, të përcaktuara, për pozicionet në nivelet A, B, C1, C2 e C3 të administratës tatimore qendrore rastet e mëposhtme: rekrutimi i punonjësve të teknologjisë së informacionit;
rekrutimi i punonjësve të zbatimit, të Drejtorisë së Investigimit; rekrutimi i punonjësve të sektorit të administratës dhe prokurimeve, në Drejtorinë e Financës, Administratës dhe Prokurimeve.

4 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›