E Diel, 1 Nëntor 2026

Strategjia antikorrupsion, deputetët kthehen në “lejfenë”

Berisha shpall projektin e ri: Deputetët pa makina dhe shoferë. “Lufta antikorrupsion të fillojë transparencën e fondeve të partive”

Eljona Ballhysa
Qeveria pritet të ndërmarrë një nismë për ndryshimin e ligjit për statusin e deputetëve. Kryeministri Berisha, në emër të luftës kundër korrupsionit, e ka kritikuar ashpër këtë ligj, i cili favorizon financiarisht deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Berisha prezantoi strategjinë e re të luftës antikorrupsion për vitet 2008-2010 dhe theksoi domosdoshmërinë e thellimit të kësaj lufte në të gjithë sektorët, si domosdoshmëri për t’u integruar në BE.
Deputetët
Pritet që së shpejti deputetëve shqiptarë të mos u jepet nga Kuvendi makinë dhe shofer. Kryeministri është shprehur se deputetët shqiptarë janë të vetmit në Europë që kanë të tilla favore. “Situata e Parlamentit shqiptar është e papajtueshme me standardet europiane. Nëse ne mbajmë deputetë me makina dhe shoferë në kurriz të taksapaguesve, mos mendoni se bindim kënd me vullnetin e madh për të luftuar me tolerancë zero korrupsionin. Është i domosdoshëm ndryshimi i ligjeve të bazuara në etjen e skajshme, ose ndryshe ‘babëzinë’. Ligji i statusit të deputetit është i bazuar në ‘babëzinë’. Nuk ka vend në botë që deputeti të marrë 1.5 herë më shumë se kryeministri, në dieta e të tjera”, - është shprehur Berisha gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e djeshme të qeverisë.
Më tej ai u bëri thirrje përfaqësuesve të partive të koalicionit të djathtë në qeveri që të marrin masa dhe të luftojnë korrupsionin në partitë e tyre. Ai bëri një krahasim dhe me periudhën e komunizmit, kur deputetët nuk kishin makina. “Kërkoj nga përfaqësuesit e forcave politike të maxhorancës të jemi të përgatitur të marrim çdo vendim për të luftuar më tej korrupsionin te partitë tona, te statuset e pamerituara. Në drejtim të kësaj të fundit është tejkaluar diktatura. Gjërat duhet t’i shohim siç janë. Në periudhën e diktaturës deputeti nuk ka pasur makinë. Deputeti ishte fiktiv, deputet i një regjimi totalitar, por, për hir të së vërtetës, makinë nuk kishte”, - është shprehur Berisha.
Kreu i qeverisë e theksoi të domosdoshme që partitë politike të bëjnë transparente të ardhurat e tyre. Në kuadër të luftës kundër korrupsionit kryeministri Berisha i bëri thirrje opozitës që të miratojë ligjin për heqjen e imunitetit të deputetëve. “Duhet të bëhen përpjekje të mëdha që Shqipëria të shembë murin e imuniteteve. Natyrisht vendimi më i qëndrueshëm në këtë rast është ai që merret bashkë me opozitën”, - është shprehur kreu i qeverisë.
Pavarësia e institucioneve
Berisha gjithashtu bëri të ditur se lufta kundër korrupsionit do të shtrihet në të gjitha institucionet, pa prekur pavarësinë e tyre. “Lufta kundër korrupsionit duhet të shtrihet në të gjitha institucionet. Askush më shumë se kjo maxhorancë nuk ka interes absolut për pavarësinë e institucioneve. Pavarësia e tyre është jetike edhe për luftën kundër korrupsionit. Por duhet të jemi realistë se në një vend të lirë asgjë nuk e rëndon më shumë pavarësinë e institucioneve, sesa korrupsioni”, - është shprehur kreu i qeverisë. Ai bëri të ditur se reformat në sistemin e drejtësisë do të vazhdojnë dhe më tej. “Në këtë kontekst, reformat do të vazhdojnë në sistemin e drejtësisë dhe në institucionin e akuzës, reforma që synojnë forcimin e pavarësisë dhe transparencën e veprimtarisë së tyre. Drejtuesit e këtyre institucioneve janë të ftuar të kontribuojnë në realizmin e këtyre reformave, sikundër janë të ftuar të përdorin gjithë integritetin e tyre personal për t’u dhënë përgjigjen më ndëshkuese rasteve korruptive në këtë institucion”, - është shprehur Berisha. Në përfundim ai u bëri thirrje ministrave që të rishqyrtojnë çdo procedurë në veprimtarinë e tyre në funksion të transparencës.

4 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›