Berisha: “Shqipëria do të përmbushë kriteret për statusin e vendit kandidat për në BE”
Kryeministri Sali Berisha është shprehur në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Integrimit se Shqipëria do të plotësojë kriteret për të marrë statusin e vendit kandidat. “Shqipëria do të ecë drejt një stadi të ri për të kërkuar statusin e vendit kandidat për në BE, por se ky vendim duhet të diskutohet me opozitën, kryesuesin e radhës të BE-së dhe Komisionin Europian”, - është shprehur Berisha. Komiteti Ndërministror për Integrimin shqyrtoi gjatë mbledhjes së djeshme përmbushjen e kërkesave që ka shtruar raporti i vitit 2007 për qeverinë shqiptare, me qëllim konvergimin e të gjitha kontributeve në mënyrë që progres-raporti vjetor i 2008-s, të reflektojë arritjet reale të Shqipërisë. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, në raportimin e saj theksoi se Ministria e Integrimit duhet të paraqesë në Komisionin Europian, në datën 15 qershor, Progres-Raportin 2008, i cili përbën kontributin kryesor të qeverisë shqiptare, duke pasqyruar arritjet konform detyrimeve të MSA-së, Partneritetit Europian dhe rekomandimeve të Grupeve të Punës. “Rëndësia e raportit është e lidhur ngushtë me fazën aktuale në të cilën ndodhet Shqipëria, sikurse është procesi i integrimit në NATO dhe procesi i liberalizimit të vizave. Ministria e Integrimit është në fazën përmbyllëse të raportit, ku materiali u është dërguar paraprakisht të gjithë ministrive për komentet e fundit dhe konfirmim”, - është shprehur Bregu, e cila është ndalur më tej në rëndësinë e madhe që ka koordinimi mes ministrive. “Ky koordinim kërkon menaxhim dhe rregullim. Më shumë se rezultat koordinimi është proces. Elementet dhe aktorët janë shumë, por rezultatet duhet të jenë të harmonizuara dhe efektive”, - është shprehur Bregu. Më tej ministrja foli dhe për pyetësorin që pritet të vijë në Shqipëri nga BE-ja, pas pranimit të kërkesës për statusin e vendit kandidat. Pasi ka informuar për iniciativën e ndërmarrë nga Ministria e Integrimit për parapërgatitjen e administratës për këtë pyetësor, duke iu referuar pyetësorëve të Kroacisë dhe Maqedonisë, ministrja theksoi se përgatitja e përgjigjeve ndaj pyetësorit do të ketë dy nivele kontrolli, një nga nëpunësit e administratës se institucioneve të linjës dhe Ministrisë së Integrimit dhe nga ekspertë të huaj.
12 Qershor 2008