E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pozitë-opozitë, debate për mënyrën e votimit të dekreteve

PS: Dekretet e Presidentit, sipas rregullores, të kalojnë me votim të fshehtë. Miratimi i procedurës së dekretimit do të zhvillohet me votim të hapur

Eljona Ballhysa

Pozita dhe opozita kanë shkëmbyer edhe gjatë ditës së djeshme deklarata kundërshtuese për çështjen e dekreteve të presidentit Topi. Gjatë një konference për shtyp kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, ka kërkuar ndjekjen e procedurave parlamentare për votimin e dekreteve të Topit në mënyrë të fshehtë nga Kuvendi, ndërsa e ka cilësuar antikushtetuese përpjekjen e maxhorancës për të votuar raportin e Komisionit të Ligjeve. Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ndërsa nuk ka dhënë shpjegime për mënyrën e votimit, e ka cilësuar politik qëndrimin e PS-së.
Opozita
Gjatë fjalës së saj para mediave, Leskaj u shpreh se PS-ja e konsideron qëndrimin e maxhorancës ndaj dekreteve të Presidentit të Republikës dhe etiketimin e tyre si antikushtetuese, si një kërcënim të hapur për pavarësinë e institucioneve kushtetuese dhe ndarjen e pushteteve. Sipas saj, ky qëndrim është një shfaqje e re e konfliktit të vjetër të kryeministrit Berisha dhe pasuesve të tij. “Grupi Parlamentar i PS-së vlerëson se kjo është një përpjekje për të kontrolluar Gjykatën e Lartë, që po bëhet duke përdorur pushtetin legjislativ kundër pushtetit gjyqësor duke konfliktuar artificialisht institucionet”, - është shprehur Leskaj.
Ajo tha se qëndrimi i PS-së në seancën parlamentare do të jetë votimi pro dekreteve të Topit dhe do të insistojë me forcë që dekretet të futen në procedurë sipas rregullores së Kuvendit, duke u miratuar me votim të fshehtë. Në të njëjtën linjë ka qenë dhe deklarata e djeshme e zëvendëskryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi. Ai tha se plani i maxhorancës për të votuar procedurën e dekretimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe jo dekretet e presidentit është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, ligjet dhe rregulloren e Kuvendit. Sipas tij, qëndrimi i maxhorancës ka të bëjë me tentativën për të imponuar një vendim politik. "Do të votohet sipas urdhrave që do të vijnë nga partia, nga kreu i maxhorancës, përkatësisht nga zoti Berisha, kuptohet, nëpërmjet zonjës Topalli, e cila me sa duket ka marrë rolin e instrumentit për të ndërtuar pushtetin absolut të kryeministrit të saj", - tha Xhufi, ndërsa thekson se Grupi Parlamentar i LSI-së nuk do të bjerë në lojën e re që ka përgatitur maxhoranca. Sipas Xhufit, LSI-ja do të kundërshtojë me forcë tentativat e maxhorancës dhe do të kërkojë zbatimin e Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit për dekretet e presidentit. Sipas Xhufit, Kushtetuta nuk e detyron presidentin që të konsultohet me Kuvendin për dekretimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. “Jo, absolutisht. Kushtetuta e ka të përcaktuar qartë. Presidenti dekreton emrat e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të cilët pastaj marrin pëlqimin e Kuvendit. Kaq përcakton Kushtetuta, as më shumë dhe as më pak”, - është shprehur Xhufi.
Shumica
Vetëm një ditë pas zbulimit të “planit B” për miratimin në Kuvend të procedurës së dekretimit duke bllokuar pesë dekretet e presidentit, ka reaguar dje kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Ai është shprehur se maxhoranca nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë për qëllim që të cenojë pavarësinë apo sovranitetin e pushtetit gjyqësor në Shqipëri. “Nxitimi i Grupit Parlamentar të PS-së për t’i pasur sa më parë në sallën e Kuvendit dekretet e presidentit për 5 anëtarët e Gjykatës së Lartë shpjegon thelbin e interesit të opozitës, i cili nuk mund të jetë veçse politik”, - është shprehur Patozi. Futja për votim e procedurës së dekretimit do të thotë që deputetët do të marrin pjesë në një votim të hapur. Kjo mënyrë votimi realizohet edhe për ta mbajtur të bashkuar maxhorancën, për të mos lejuar rrjedhjen e votave. Në rast të votimit të dekreteve Kuvendi duhet të marrë pjesë në një votim të fshehtë, i cili rrezikon përçarjen e maxhorancës.

12 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›