E Diel, 1 Nëntor 2026

Statusi kandidat, zhvillime pozitive në realizimin e reformave

19-07-2012 / Gazeta 55

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu vizitë në Romë me ftesë të ministrit të Jashtëm italian, Terzi


Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu zhvilloi një vizitë 2 ditore në Romë e ftuar nga Ministri i Jashtëm Italian, Giulio Terzi ku mori pjesë në konferencën e parë ndërkombëtare “Gratë në Diplomaci”, organizuar si një nismë e përbashkët e qeverisë italiane, vendeve të BE-së dhe SHBA-ve. Personalitete të politikës italiane, evropiane, amerikane dhe nga bota përshëndetën konferencën. Ndër ta ishin Kryeministri italian, Mario Monti, ministri i Jashtëm Terzi, ministret e Jashtme të Meksikës dhe Kroacisë, ministret e Punës të Francës, Tunizisë, Algjerisë dhe Egjiptit, ministrja e Integrimit e Kosovës, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare të biznesit, medias, etj. Ministrja Bregu foli në panelin “Roli i grave në ndryshimin e regjimeve”, ku paraqiti në mënyrë të hollësishme ndryshimin e rolit të grave pas ardhjes së demokracisë në Shqipëri, në krahasim me kohën e regjimit diktatorial dhe theksoi rëndësinë e këtij roli në periudhën e tranzicionit deri në konsolidimin e demokracisë. Bregu vlerësoi rritjen e rolit të grave shqiptare në diplomaci, në politikë, ekonomi dhe në shoqëri, si një kontribut i padiskutueshëm. “Realiteti në Shqipëri ka ndryshuar në mënyrë drastike dhe roli i grave në diplomaci, në politikë, ekonomi dhe në shoqëri, është kontribut i padiskutueshëm”, tha ajo. Gjatë vizitës dy ditore në Romë, ministrja Bregu zhvilloi takime zyrtare me ministra të kabinetit Monti. Me ministrin e Çështjeve Europiane, Enzo Moavero Milanesi ministrja e Integrimit Bregu prezantoi zhvillimet e fundit politike në vend dhe shprehu vlerësimin e qeverisë shqiptare për mbështetjen politike të Italisë për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit. Ajo i kërkoi ministrit Moavero thellimin e mbështetjes mes një qëndrimi realist dhe inkurajues për Shqipërinë në takimet e tij me kolegët nga vendet e tjera anëtare. Ministrja Bregu theksoi rëndësinë e dhënies së stimujve nga Brukseli ndërkohë që Shqipëria po plotëson atë çka quhet “masa kritike” dhe ka zhvillime pozitive në realizimin e reformave. Ministri Moavero nënvizoi faktin se, Europa duhet të mbajë gjallë procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit në BE, sidomos në momente të vështira krize ekonomike, kur vihet në diskutim vetë qëllimi i krijimit të BE-së: garantimit të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik për vendet anëtare. “Dëshmia se integrimi në BE stimulon paqen, stabilitetin politik dhe ekonomik në vendet e rajonit e Ballkanit është një tregues i rëndësisë thelbësore që ka ky proces jo vetëm për vendet aspirante, por dhe për vetë ekzistencën e Evropës”, tha ai. Moavero shtoi se anëtarët e rinj të BE-së do të sillnin më shumë vitalitet, për të cilin Europa ka shumë nevojë. Ministrja Bregu zhvilloi një takim dhe me ministrin e Kohezionit Territorial, Fabrizio Barca, përgjegjës për bashkëpunimin territorial që mbulon dhe menaxhimin e fondeve IPA. Të dy ministrat prezantuan objektivat e secilit vend për shfrytëzimin më të mirë të projekteve në kontekstin e komponentit të II-të të IPA-s, duke rritur nivelin e bashkëpunimit në perspektivën e re financiare 2014- 2020.


Gjatë takimit u theksua rëndësia e  përzgjedhjes së projekteve strategjike me impakt të ndjeshëm në jetën e qytetarëve shqiptarë dhe italianë. Dy ministrat theksuan rëndësinë e investimit në kapacitetet administrative për menaxhimin e projekteve dhe përshpejtimit të procedurave për t’i hapur rrugë zbatimit të tyre.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›