E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, plagoset me thikë pas sherrit me klientin bodigardi i bingo "Fazan"

• TIRANE - Roja i sigurisë së një bingoje në qendër të Tiranës është plagosur me thikë, pas konfliktit me një klient mbrëmjen e djeshme.Selman Mici, rreth 30 vjeç, bodigard pranë bingo "Fazan" në Tiranë është qëlluar një herë me thikë në bark. Ngjarja ndodhi dje në mbrëmje rreth orës 21:30 kur roja i sigurisë tentoi të nxirrte jashtë sallës së lojërave Emiljano Nuredinin, 18 vjeç. Ky i fundit sipas policisë, kishte shkaktuar zhurmë dhe rrëmujë në brendësi të bingos, ndërsa roja i sigurisë ka ndërhyrë për ta nxjerrë të riun jashtë. Autori i plagosjes ka kundërshtuar dhe si rrjedhim mes protagonistëve të ngjarjes ka shpërthyer një konflikt, i cili është mbyllur me plagosjen e bodigardit. I riu ka qëlluar një herë të vetme me thikë në bark rojën e bingos, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia arrestoi autorin e krimit në qendër të Tiranës, vetëm pak minuta pas ngjarjes së ndodhur tek dera e bingos. Hetuesit kanë marrë në pyetje personat e pranishëm në vendin e ngjarjes të cilët thanë se klienti ka kundërshtuar rojen e sigurisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›