E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statuti i ri, jo ndarjes së posteve



Në unanimitet të plotë kuvendi kombëtar i PD-së miratoi dje ndryshimet statusore i cili nuk mundi të ndajë postet partiake nga ato ekzekutive. Sekretari i përgjithshëm i PD-së, z. Ridvan Bode, gjatë raportimit për këto ndërhyrje në dokumentin e funksionimit të partisë, vuri në dukje se në to përfshihen përmirësimet e 19 viteve ekzistencë si forcë politike. Ndryshimet në statutin e partisë në pushtet parashikojnë një organizim të ri në shkallë qarku, në bazë të Kodit të ri Zgjedhor. Kjo parashikon shkrirjen e nëndegëve dhe krijimin e një strukture të re drejtuese në 12 qarqet. Në këtë mënyrë 1260 delegatët demokratë pjesëmarrës në Kuvendin Kombëtar dje miratuan me unanimitet statutin e ri të kësaj partie, bazuar në projektin e hartuar nga një komision i posaçëm. Sipas prezantuesit të tij, Ridvan Bode, i cili në të njëjtën kohë është edhe sekretar i përgjithshëm i PD-së, tha se ky statut i ri konsiston në përshtatjen e sistemit të zgjedhjeve brenda selisë blu me ato të përgjithshme. “Duke qenë forca më e madhe politike në vend, në statutin e ri përfaqësimi merr në konsideratë edhe mbështetjen e madhe nga anëtarësia e PD-së, por edhe mënyrën e re të formësimit dhe përfaqësimit të anëtarëve në të gjitha organet”, - sqaroi z. Bode. Ai vuri në dukje se përveç përfaqësimit me votë, bëhet fjalë për një përfaqësim që e bën PD-në më të hapur dhe më të ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve. “Është një përshtatje për ta bërë sa më fleksibël dhe më të përshtatshëm për organet drejtuese vendore dhe qendrore të partisë. Parimi “një anëtar një votë” është pjesë e PD-së”, - deklaroi z. Ridvan Bode. Ndërkohë, paketa e propozimeve të Aleksandër Biberajt nuk u mor parasysh, madje nuk u regjistrua fare si e tillë. Kjo ka qenë dhe arsyeja përse ish-deputeti refuzoi të merrte pjesë në votim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›