E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi negociator? Berisha: S’mundet, është kryetar i KLD-së



Presidenti Bamir Topi nuk mund të negociojë mes PD-së dhe PS-së për hapjen e kutive të 28 qershorit, siç kërkon opozita, për faktin se ai është kryetar i KLD-së. Ndaj, për sa u përket mundësisë së ndërhyrjes së Presidentit për të zgjidhur krizën politike, kreu i qeverisë, Sali Berisha, deklaroi dje për “VOA”-n se as kreu i shtetit nuk mund të dalë mbi gjykatat. “Ai është kryetar i KLD-së dhe nuk mund të pranojë kurrë të negociojë një vendim gjykate. Vendimi i gjykatës është i panegociueshëm. Ne i kemi bërë një propozim serioz opozitës, e cila duhet ta shqyrtojë atë me gjakftohtësi”, - deklaroi z. Berisha. Në kushte të tilla, Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje opozitës që të respektojë vullnetin e qytetarëve shqiptarë më 28 qershor. Berisha u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar me PS-në, e cila, sipas tij, po bën një gabim “historik”. “Ekziston vlerësimi më i madh për opozitën dhe rolin e saj, si dhe një vendosmëri e plotë për bashkëpunim me opozitën për reformat, por po aq të vendosur jemi në respektimin e vullnetit të lirë të qytetarëve. Krerët e opozitës janë kyçur në një gabim madhor historik, mosnjohjen e vullnetit të lirë të qytetareve”, - tha z. Berisha. Sipas tij, opozita është e detyruar të luajë rolin e kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili është i vetmi që nuk njeh zgjedhjet dhe konteston Parlamentin.

“Një votim të cilin e firmosën 20 mijë anëtarë të opozitës dhe të gjitha institucionet ndërkombëtare nuk do ta njohë vetëm Rama. Së fundmi ai tha se unë njoh votën, por jo legjitimitetin e Parlamentit”, - nënvizoi z. Berisha. Ai përsëriti ftesën që PS-ja të kthehet në Parlament, duke shprehur gatishmërinë e tij për një komision hetimor për zgjedhjet, por jo për të shkelur vendimet e gjykatave. “E ftoj opozitën të vijë në Parlament, të vendosur për të gjithë hetimin që opozita kërkon, përveç vendimit të gjykatave. Në këto zgjedhje askush nuk ka humbur, sepse këto janë zgjedhjet e para që nxorën vendin nga lista e zezë për zgjedhje problematike”, - u shpreh z. Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›