E Diel, 1 Nëntor 2026

Stavri Marko: “Rama duhet të gjejë mënyrën për të bindur ata që zhgënjeu”

Autori i Lajmit: S. Topi
Stavri Marko, analist

Çfarë fitoi dhe çfarë humbi opozita me kthimin në Kuvend?
Opozita shqiptare është e qartë, ajo kërkon ende “transparencën e votës”, ashtu sikundër koalicioni qeveritar në ekstremin tjetër “është çështje pushteti gjykatash hapja e kutive”, pra prapë janë në të njëjtën gjatësi vale. Mendoj se loja vazhdon. Në se Edi Rama bëri lëshimin e parë me kosto të lartë për atë brenda militantizmit, nga ana tjetër Berisha, që mundohet të administrojë këtë alternativë të opozitës si fitoren e tij personale, mund ta ktheje prapë krizën në gjendjen e mëparshme. Ajo që është shfaqur në këtë kontekst, është bashkësia evropiane, e cila duket se ka problemet e veta për të gjykuar qartë se çfarë rruge duhet të marrë kriza politike në Shqipëri. Me dhjetëra shtete evropiane, përfshi edhe dyfish opozitën e tyre me të cilën ndërthuren shumë ekulibra dhe aleanca, nuk mund të jenë në unison me krizën politike në Shqipëri, pasi ata kërkonin të bënin kompromis me transparencën e votës, përpara se ky vend problematik ballkanik, tu krijonte premisë destabilizuese për vetë rajonin. Qëndrimi i delegacionit evropian ishte i turpshëm. Në të kundërt, sipas mendimit tim, amerikanët janë më të qartë dhe më të drejtpërdrejtë për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.

Cili është opinioni juaj për një largim të dytë të PS-së nga salla e Parlamentit?
Kjo mund të ndodhë, pasi nuk ka alternativë tjetër nga mbijetesa e Edi Ramës, në të kundërt do të zhgënjente jo vetëm elektoratin e tij, por edhe komunitetin ndërkombëtar për të drejtën e një kauze në themelin demokratik, vota e lirë. Tani varet nga aftësia e Berishës për të menaxhuar këtë rast, pasi është mjeshtër i korruptimeve, por dhe i presionit. Edi Rama duhet të bëjë diçka më të guximshme për të bindur ata që zhgënjeu, që për muaj të tërë shpresonin tek lideri i tyre. Janë një seri ligjesh në të shumtën antidemokratike që janë miratuar nga Parlamenti një pjesë pa opozitën, janë shtuar rastet e diskriminimit kolektiv dhe krahinor për të qenë të barabartë përpara ligjit dhe pagimit të taksave dhe shumë prej tyre bien në kurriz të opozitës ose qytetarëve që mendojnë ndryshe nga vendimet e pushtetit, janë marrë kompetenca të pushteteve lokale, pra opozita jo vetëm që nuk ka zgjidhur problemin e transparencës së kutive, por nuk ka mundur të kontrollojë dhe menaxhojnë paralelisht dhe të bllokojë iniciativat ligjvënëse për të cilën pakënaqësia sa vjen dhe rritet. Kjo, sigurisht, nuk mjafton vetëm me anë të deklaratave nga selia e PS-së.
Beteja për hapjen e kutive a i ka eklipsuar problemet e përditshme të njerëzve, në veçanti ato që lidhen me krizën ekonomike, qeverisjen?
Kriza politike në vend, ka një background të frikshëm. Në se do të lëmë kutitë për një çast dhe ti kthehemi krizës ekonomike, do të skanonim vërtet transparencën e qeverisë Berisha. Kohët e fundit kaluan dy ligje, ai i Legalizimeve dhe ai i Diskriminimit, të cilat përplasen me njëra-tjetrën. Berisha po punon përditë të kënaqë edhe militantin e tij të fundit, në kurriz të taksave publike. Qytetarët e preferuar prej tij për legalizim, tashmë duhet të paguajnë taksat edhe me letra me vlerë. Pse ata duhet të përjashtohen me ligj dhe për të tjerët duhet të paguajnë me para në dorë administratën publike? Tjetër, kemi diskriminim krahinor dhe politik ku financat publike, ndonëse paguhen nga popullsia e jugut të vendit (në bashkitë ku opozita përbën shumicën), investimet më të mëdha bëhen në veri ku elektorati i Berishës është thuajse absolut siç është rasti i rrugëve strategjike që lidhin me Kosovën dhe Maqedoninë (!). Këtu kam parasysh rrugën Vlorë-Fier-Tepelenë, e cila as që zihet në gojë. Pikërisht kjo ishte një pjesë e strategjisë së Edi Ramës për tu përballur me pushtetin qendror, përderisa komuniteti i autonomisë lokale në Jug të vendit, ndërmori iniciativa për të përgatitur një bllokim total të financave si mosbindje civile për diskriminimin që qeveria Berisha po i bën popullit opozitar. Kjo kërkon shpjegim dhe njëkohësisht qëndrim nga Edi Rama dhe jo vetëm për kutitë. Janë pikërisht këto probleme që nesër do të bëhen më të rrezikshme sesa hapja e kutive për qeverinë Berisha, i cili jo vetëm po lufton politikisht kundërshtarët, por po merr iniciativa ligjvënëse për të diferencuar financat publike, kontrollin e institucioneve kushtetuese, përfshi shërbimin sekret, gjykatat, prokurorinë dhe Autonominë Lokale.

Ky lajm është publikuar: 26/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›