E Diel, 1 Nëntor 2026

Stazhieri,Dy të arrestuar me 6 pistoleta dhe 200 gr kokainë

Policia / Armët do të kontrollohen për krime të vjetra

Dy persona janë kapur në flagrancë në vendin e njohur si “Mbikalimi” në Fushë-Krujë. Policia ka sekuestruar 6 pistoleta tip “mini Zastava” si dhe 200 gramë kokainë. Armët mendohet se ishin destinuar për t’u trafikuar, ndërsa tashmë ato do t’i nënshtrohen kontrollit nëse janë përdorur për krime të vjetra

Nuk kanë mundur dot të çojnë deri në fund trafikimin e gjashtë pistoletave tip “mini Zastava” të kalibrit 6.6 mm, kur agjentët e policisë i kanë zënë në befasi ne afërsi të mbikalimit të Fushë-Krujës teksa udhëtonin me një makinë. Në pranga janë vënë dy persona, Kujtim Laçi, 44 vjeç, dhe Afrim Stafuka, 39 vjeç, të dy banues në Fushë-Krujë, të cilët dyshohet se po lëviznin për të trafikuar sasinë e armëve.

Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të policisë së kryeqytetit, sipas të cilave, rreth orës 09:00 të mëngjesit të djeshëm, Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda dhe Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Stazhieri”.

Policia tha se gjatë operacionit u sekuestruan edhe 200 gramë lëndë narkotike e llojit kokainë, 2 automjete, njëri tip “Fiat” e tjetri tip “Audi”, tri palë targa false që përdoreshin nga dy të arrestuarit si dhe tre aparatë celularë.

Ndërkohë, mësohet se armët ishin destinuar për t’u trafikuar dhe se për këtë po punohet për gjetjen e destinacionit si dhe implikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik. Sakaq, burime nga policia thanë se të gjashta pistoletat do të kontrollohen në laboratorin kriminalistik, nëse janë përdorur në krime të vjetra më parë.

Dy persona janë kapur në flagrancë në vendin e njohur si “Mbikalimi” në Fushë-Krujë. Kanë qenë disa informacione të siguruara në rrugë operative nga agjentët e policisë që për disa ditë kanë mbajtur nën mbikëqyrje të dyshuarit Kujtim Laçi dhe Afrim Stafukën. Gjithçka mësohet të jetë bërë në bashkëpunim me Sektorin Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar ku në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda, kanë kryer hetime në lidhje me këtë trafik.

Ndërkohë, ndërhyrja ka ardhur mëngjesin e djeshëm teksa të dy udhëtonin me një automjet. Në këtë kohë, policia u ka bërë shenjë të ndalojnë dhe nga kontrolli në automjet janë gjendur dhe pistoletat.

Ndaj tyre është marrë menjëherë masa e arrestit, ndërsa policia tha se nga kontrolli në banesën e Kujtim Laçit u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale rreth 200 gramë lëndë narkotike e dyshuar e llojit kokainë.

Pas operacionit, policia tha se tashmë po punohet për të zbuluar destinacionin e shitjes së pistoletave, ndërsa pritet që nga marrja në pyetje e të dyshuarve të dalin dhe bashkëpunëtorët e tjerë të mundshëm në këtë trafik armësh.

Ndaj Laçit e Stafukës u kryen veprimet procedurale dhe materialet në ngarkim të tyre i kanë kaluar Prokurorisë për Krime të Rënda nën akuzën e kryerjes së veprave penale “trafik armësh e municionesh luftarake e kryer në bashkëpunim”, si dhe “prodhim e shitje të lëndëve narkotike”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›