E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen dy persona për prodhim dhe shitje lëndësh narkotike

Tiranë

Vazhdon kapja e sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike në kryeqytet. Ditën e djeshme specialistët e seksionit Kundër Drogës, pranë Policisë së Tiranës, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Stacioni i vjetër” duke sekuestruar 533 gramë lëndë narkotike Kanabis sativa dhe vendosjen nën pranga të dy shtetasve si të dyshuar për “prodhim e shitje të lëndëve narkotike”. Sipas të dhënave të policisë së kryeqytetit një ditë më parë, mësohet se në pranga është vënë Ardian Palla, 35 vjeç, lindur në Devoll dhe banues në Tiranë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 35-vjeçarit Palla, u gjetën edhe rreth 15 qese farmacie të mbushura me bimë narkotike të gatshme për shitje, si dhe një tjetër qese e mbushur me bimë, e dyshuar narkotike. Po ashtu, po nga specialistët e seksionit Kundër Drogës, realizuan gjatë orëve të vona të mbrëmshme arrestimin në flagrancë të shtetasit Gazmend Vokri, 29 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Vokri u kap në flagrancë me sasinë prej 6.8 gramë, bimë narkotike e dyshuar Kanabis sativa. Ndërsa nga kontrolli i ushtruar në banesë u gjetën edhe rreth 70 pako të mbushura me bimë narkotike të cilat peshonin 307.2 gramë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›