E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarri përfshin shkurret, rrezikohen shtëpitë

Në Linzë

Një zjarr i madh që ka shpërthyer në kodrat e Linzës gjatë ditës së djeshme ka hapur panik tek banorët e zonës. Policia dhe zjarrfikëset kanë shkuar në vendngjarje dhe për disa orë kanë punuar për të shuar zjarrin. Sipas të dhënave të policisë, vatra e zjarrit është evidentuar rreth orës 11:00 kur flakët përfshinë disa sipërfaqe me shkurre. Ndërkohë, dy makina zjarrfikëse shkuan menjëherë në vendngjarje dhe pothuajse njëkohësisht me to, aty mbërritën edhe forca policie të komisariatit numër 4 në Tiranë.

Punës për fikjen e zjarrit i janë bashkuar edhe banorët e zonës. Ndërsa drejtori i shërbimit të zjarrfikëseve, Dilaver Laçi, që ka mbërritur në vendngjarje, është shprehur se “situata është e vështirë. Ne po ndërhyjmë me të gjitha mjetet e nevojshme. Deri tani janë djegur 1 ha sipërfaqe shkurre”. Sipas Laçit, zjarri është vënë qëllimisht. “Autor i zjarrit dyshohet të jetë pronari i tokës. Zjarrvëniet janë të shpeshta në këtë zonë dhe përgjithësisht, shkaktarë janë vetë banorët që banojnë këtu", - ka pohuar Laçi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›