E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjenden trupat e pajetë të dy emigrantëve shqiptarë

Greqi

Trupat e pajetë të dy shqiptarëve janë gjetur në një kanal me ujë që furnizonte një hidrocentral të vogël të Selanikut. Lajmi është konfirmuar një ditë më parë në mediat vendase, sipas të cilave, policia greke ka identifikuar dy shqiptarët nga Librazhdi, Gentian Fati 23 vjeç dhe Adrian Vreto, 25 vjeç. Sipas të dhënave të policisë greke, në një kanal, ujërat e të cilit mbushin liqenin e vogël të hidrocentralit që ndodhet në zonën e Agras të Pellës, 40 km në perëndim të Selanikut, u gjenden trupat pa jetë të dy emigrantëve shqiptarë, Gentian Fati dhe Adrian Vreto, përkatësisht 23 dhe 25 vjeç nga qyteti i Librazhdit. Sipas hetimeve të deritanishme të policisë helene, mësohet se dy të rinjtë duket se ishin kalimtarë dhe drejtoheshin drejt qytetit të Edesës përderisa u janë gjetur dy çanta me rroba. Ndërkohë që dyshohet se ata kanë hyrë në ambientet e ndërmarrjes elektrike dhe për arsye që deri tashmë nuk dihen, kanë përfunduar në ujërat e thella të kanalit. Madje siç supozojnë specialistët, ndoshta i dyti është hedhur për të shpëtuar të parin nga mbytja. Në këtë vend thellësia e kanalit tejkalon dhjetë metrat. Trupa e tyre i ka gjetur roja i hidrocentralit. Sipas vlerësimeve të policisë greke, vdekja e tyre nuk vjen si rezultat i ndonjë veprimi kriminal përderisa mbi trupat e tyre nuk është gjendur asnjë shenjë e dyshimtë dhe raporti i mjekut ligjor tregon se shkaku i vdekjes është mbytja aksidentale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›