E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradimi,Britania sjell në pranga “mjeshtrin” e falsifikimeve dhe të trafikut



Hetimi / Armand Bogdani tentoi trafikimin e 1.7 ton Kanabis sativa

Në korrik 2002, Armand Bogdani tentoi të kalonte drejt Greqisë 1720 kilogramë Kanabis, ku mendohet se vlera e shitjes në treg do të ishte rreth 7,8 milionë paund.

Për një gjë të tillë, gjykata e Gjirokastrës gjeti fajtor në mungesë Bogdanin, duke e dënuar me 13 vite burg. Ai ka mundur të largohet nga Shqipëria disa ditë pas dështimit të trafikimit të ngarkesës së fshehur në një dysheme të dyfishtë në kamion

Katër vjet i shpallur në kërkim ndërkombëtar për një sërë veprash kriminale, Armand Bogdani, 28 vjeç nga Librazhdi, është sjellë orët e vona të së enjtes në aeroportin e Rinasit, i shoqëruar nga agjentët e Interpolit të Londrës. Ka qenë gjykata britanike City of Westminster Magistrate Court që në mars të këtij viti do t’i hapte rrugë ekstradimit të shqiptarit të dënuar me 13 burg nga gjykata e Gjirokastrës.

Lajmi është konfirmuar një ditë më parë nga të dhëna zyrtare të Policisë së Shtetit, sipas të cilave, 28-vjeçari ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar pasi më datë 9 qershor të vitit 2004, gjykata e Gjirokastrës e ka dënuar atë me 13 vjet burg për veprat penale të “trafikimit të lëndëve narkotike mbetur në tentativë” dhe “falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve”. Ndërkohë që edhe Gjykata e Apelit të këtij qyteti, me një vendim të datës 4 prill të vitit 2005, ka lënë në fuqi vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë.

Më 9 mars të këtij viti, Bogdani do të humbte betejën e ekstradimit në gjykatën "City of Westminster Magistrate Court". Ai do të cilësohej si "lojtari kryesor" në konspiracionin e trafikimit nga Shqipëri në Greqi, me destinacion final Anglinë, të rreth 1.7 tonë Kanabis. Ndërkohë, gjykatësi Nicholas Evans e cilësoi si të drejtë kërkesën e qeverisë shqiptare për të ekstraduar nga Anglia shqiptaro-britanikun Armand Bogdani, i dënuar nga gjykata e Gjirokastrës me 13 vite burg për trafik lëndësh narkotike.

Sipas kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë, mësohet se 27-vjeçari Bogdani me origjinë nga Librazhdi, martuar me një shtetase angleze, në korrik 2002 tentoi të kalonte drejt Greqisë 1720 kilogramë Kanabis. Doganierët shqiptarë në pikën kufitare të Kakavijës sekuestruan sasinë e drogës. Kështu, hetimet dhe arrestimi i disa pjesëtarëve të tjerë të grupit, u vërtetua se Armand Bogdani, përmes dokumentacionit të falsifikuar, kishte blerë mjetin transportues, duke e bërë atë njeriun kyç në këtë konspiracion trafikimi të lëndëve narkotike ku nëse kjo sasi droge do të arrinte, vlera e shitjes në treg ishte 7,8 milionë paund.

Për një gjë të tillë, gjykata e Gjirokastrës gjeti fajtor në mungesë Bogdanin, duke e dënuar me 13 vite burg. Ai është larguar nga Shqipëria disa ditë pas dështimit të trafikimit të ngarkesës e fshehur në një dysheme të dyfishtë në kamion. Gjatë procesit të ekstradimit u mësua se ai kishte për përdorim dy pasaporta, një shqiptare dhe një tjetër britanike, pasi ishte martuar me një shtetase të këtij vendi dhe jetonte me të në qytetin e Nottingham-it, në veri të Anglisë. Arrestimi tij, më 5 korrik 2007 erdhi si pasojë e një bashkëpunimi mes zyrës së Interpol Tiranës dhe skuadrës së ekstradimeve në Scotland Yard, e cila njihet si "Extradition Unit", ku nga Tirana kanë mbërritur 100 fletë arresti për t’u ekzekutuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›