E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia: Arrestuam Gëzim Gjonin. Reagon i vëllai: Paraqitej çdo ditë në komisariat



TIRANE – Policia e Tiranës njoftoi dje arrestimin e shtetasit Gëzim Gjoni, i dënuar në mungesë me 5 vite burg pasi është konsideruar si anëtar i organizatës “Hakmarrja për Drejtësi”, por ky arrestim i shpallur si “operacion” nga ana e policisë është kontestuar nga të afërmit e Gjonit të cilët pretendojnë se Gëzim Gjoni paraqitej çdo ditë në polici. Gjoni është dënuar më 1 korrik 2008 me pesë vite burg në mungesë, ndërsa është arrestuar dje në banesën e tij në Tiranë nga forcat e antikrimit në policinë e kryeqytetit. Gjatë një komunikimi për shtyp, policia sqaroi se ka ekzekutuar vendimin e dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për rrëmbimin e një fëmije dhe mbajtjen peng të tij në rrethana lehtësuese. Vitin e kaluar organi i akuzës i Krimeve të Rënda kërkoi dënimin me 8 vjet burg për Gjonin, duke e akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale si dhe duke i hequr akuzat për kryerje krimesh. Gjoni ishte akuzuar për tre vepra penale të kryera në kuadër të “Hakmarrjes”, si rrëmbim personi, grabitje dhe tentativë vjedhje me dhunë. Edhe pse Gëzim Gjoni u dënua me tetë vjet burg, nga kjo masë dënimi, Gjoni ka kryer një pjesë të saj. Kjo ishte burgosja e dytë e Gëzim Gjonit. Në burgosjen e parë. pas qëndrimit për më shumë se 3 vjet në burg, ai u la i lirë për shkak të mbarimit të afateve të paraburgimit. Krimet e Rënda vendosën të revokonin masën e sigurisë rreth dy vjet më parë. Gjatë seancave Gjoni nëpërmjet avokatit te tij kishte mohuar akuzat e ngritura përgjatë viteve dhe kishte kërkuar lehtësimin prej tyre dhe madje shpalljen si i pafajshëm.
Organizata
Ndërkaq në kërkim, janë shpallur vëllezërit Shyti, Orik dhe Laert të dënuar me burgim të përjetshëm si edhe tetë pjesëtarë të tjerë të kësaj bande. Dosja "Hakmarrja për Drejtësi" prej 12 viteve u end dyerve të gjykatave me vendime të dhëna e të kontestuara, hetime dhe rihetime. Të gjithë të pandehurit, 5 prej të cilëve kanë marrë azil politik, janë në liri të plotë. Dosja përmban 10 emra të akuzuarish për 18 vepra penale, ndërkohë që pesë prej tyre gjenden të mbrojtur nga shtetet si Holanda, Zvicra e Belgjika, pasi pretendojnë se sulmohen politikisht.
Përgenjështrimi
“Për futjen në burg të Gëzim Gjonit, jo vetëm që nuk është zhvilluar asnjë operacion policor, por në të vërtetë, i dënuari kishte shtatë ditë që shkonte në polici për të sqaruar rrethanat e tij. Ilir Gjoni, vëllai i Gëzim Gjonit i cili mesditë u dërgua në mjediset e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, - kështu është shprehur i vëllai i të arrestuarit ditën e djeshme. Sipas Ilir Gjonit, vëllai i të arrestuarit, “Gëzimi Gjoni është dënuar me 5 vjet dhe ishte në gjendje të lirë. Sipas llogarive të prokurorisë i kishin mbetur edhe 14 ditë burg për të kryer. Ka shkuar në polici ditë për ditë gjatë javës që shkoi, e po ashtu, edhe dje për të bërë të 14 ditët”. Iliri evidenton faktin e cituar nga policia se “nuk kishte shkuar vendimi” dhe vijon: “Dje i thanë që të shkonte sot (e Mërkurë) dhe ai shkoi në orën 13.00 dhe kjo është e vërteta”. Ilir Gjoni pohon se “lajmi për kapje dhe skuadër speciale që e ka prangosur janë budallallëqe që duan të tregojnë “suksesin” e policisë”. Ndërkohë, vëllai i Gëzim Gjonit, detajon edhe atë që Policia e Tiranës e cilëson si një operacion të suksesshëm: “Gëzimi erdhi dje sërish në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, duke kërkuar që të vuajë kohën e dënimit prej 14 ditësh. I thanë se nuk kishte vend dhe se duhet të vinte nesër (e Mërkurë) në orën 13.00. Ashtu bëri, u nis në drekë për të shkuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, me makinën e tij dhe u paraqit brenda ambienteve”.

1 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›