E Diel, 1 Nëntor 2026

Si mund të nisë një biznes në Tiranë një i huaj



Emanuela Sako

Investimet e huaja kanë një peshë të rëndësishme në mjaft sektorë të ekonomisë së vendit. Por, për të hapur një biznes në Shqipëri, ata duhet t’u nënshtrohen një sërë procedurash ligjore, duke nisur që nga marrja e lejes së qëndrimit dhe deri në paraqitjen e kërkesës pranë QKR-së. Bashkia e Tiranës, bën të ditur ndjekjen e procedurave të detyrueshme për të gjithë personat e huaj që kërkojnë hapjen e një biznesi, duke ndjekur rregullat ligjore. Bashkia e Tiranës në studimin e saj për vitin 2009-ë që ka të bëjë me zhvillimin ekonomik dhe mundësitë për t’u hapur rrugë investimeve të huaj, bën të ditur se nga data 01.12.2008, në Shqipëri ka hyrë ne fuqi një ligj i ri për të huajt, që garanton tipe të reja vizash dhe leje qëndrimi dhe pune. Së pari, të gjithë shtetasit e huaj që duan të vijnë në Shqipëri për të hapur biznes, duhet të disponojnë një pasaportë ose dokument tjetër të vlefshëm udhëtimi që mundëson vërtetimin e identitetit të shtetësisë. Ky dokument duhet të jetë i vlefshëm deri 3 muaj pas hyrjes në Republikën e Shqipërisë dhe të njihet nga autoritetet shqiptare. Dokumenti që duhet të paraqesin është një kartë identiteti për qytetarët e atyre vendeve, të cilëve u lejohet hyrja me këtë dokument ose leje-kalimi të OKB-së e filialeve të saj, Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian, NATO-s dhe organizmave të tjerë të përcaktuara në ligj. Të huajve mund t’u kërkohet të disponojnë edhe dokumentet e nevojshme në bazë të të cilave është lëshuar viza ose që mbështesin motivin e hyrjes në Republikën e Shqipërisë. Njëkohësisht ata duhet të vërtetojnë se disponojnë mjete të mjaftueshme jetese, në bazë të të cilave krijojnë besueshmëri dhe provojnë se nuk do t’u drejtohen fondeve publike për të siguruar jetesën në Shqipëri. Si provë e tillë do të shërbejnë; biletë kthimi, rezervim hoteli, korrespondencë biznesi, kartë krediti etj.
Detyrat
Shtetasit e huaj duhet të ndjekin procedurat e parashikuara në ligj, ku përveç përfundimit të procedurave të dokumentacionit për qëndrimin në Shqipëri, ata duhet të paraqesin të detajuar veprimtarinë që do të hapin. Kështu, shtetasit e huaj kanë të drejtë të kërkojnë leje qëndrimi pranë autoriteteve kompetente në Ministrinë e Brendshme, e cila i pajis me leje qëndrimi. Pas kësaj, personat e huaj që kanë kushte dhe mjete të përshtatshme jetese, duhet të jenë në gjendje të argumentojnë motivin e qëndrimit dhe përshtatshmërinë e tyre për të kryer veprimtarinë e parashikuar. Ata duhet të jenë në gjendje të argumentojnë angazhimin e tyre të plotë, si dhe nevojën për këtë angazhim në veprimtarinë për të cilën kërkojnë lejen e qëndrimit. Në bazë të ligjit për të huajt, për veprimtari të pavarur ekonomike, si investitor, i jepet leja e punës tip B/I me një afat kohor 3 vjeçar kur ai zotëron 10 % të kapitalit në një ndërmarrje si dhe kur ai bën një investim që është të paktën në vlerën 100 mijë euro. Lejet e punës lëshohen nga Ministria e Punës dhe e Çështjeve Sociale. Në momentin e fillimit të një veprimtarie tregtare, çdo person fizik apo juridik, vendas apo i huaj, duhet së pari të regjistrohet në QKR ose pranë sporteleve të vendosura në Bashki. Regjistrimi në QKR është kusht i domosdoshëm për marrjen e licencës.
Vendet
Legjislacioni shqiptar është favorizues për investimet e huaja. Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje për promovimin dhe mbrojtjen e investimeve të huaja direkte me një sërë vendesh si Ukraina, Maqedonia, Sllovenia, SHBA, Turqia, Austria, Bulgaria, Danimarka, Egjipti, Gjermania, Rusia, Suedia, Anglia, Republika Çeke, Holanda, Malajzia, Romania, Kroacia, Polonia, Tunizia dhe Zvicra. Investitorët e huaj mund të gjejnë në Tiranë të gjitha burimet e nevojshme për një investim të suksesshëm: infrastrukture rrugore, logjistike dhe institucionale, burime lëndë të parë afër, forca të kualifikuara pune si dhe ekspertizë të bazuar në përvojën evropiane.

Somario
Në momentin e fillimit të një veprimtarie tregtare, çdo person fizik apo juridik, vendas apo i huaj, duhet së pari të regjistrohet në QKR

Vasili- USAID, diskutim për reformat në shëndetësi
Lufta kundër korrupsionit në sistemin e shëndetësisë është vënë në qendër të vëmendjes së Ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili. Transparenca në të gjithë sistemin e shëndetësisë, lufta kundër korrupsionit, informimi i publikut mbi kapacitetet mjekësore në vend dhe shfrytëzimi sa më efikas i të gjitha niveleve të kujdesit parësor dhe atij sekondar për të lehtësuar sistemin spitalor, janë disa nga synimet që Ministri Vasili kërkon t’i bëjë pjesë të reformës në shëndetësi. Të gjitha këto çështje u diskutuan gjatë një takimi të Ministrit të Shëndetësisë dhe një përfaqësie të misionit të USAID në Shqipëri, të kryesuar nga drejtoresha e këtij misioni Roberta Mahoney. Gjatë takimit, ministri Vasili shprehu vendosshmërinë e dikasterit të shëndetësisë për të vazhduar më tej bashkëpunimin me USAID-in dhe vlerësoi kontributin e deritanishëm të këtij organizmi në fushën e shëndetit. Vasili u shpreh se MSH-ja është duke punuar me eficiencë të plotë të gjitha hallkat e shërbimit shëndetësor në vend. Drejtoresha e USAID-it, Roberta Mahoney vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm në fushën e shëndetësisë. “ Është kënaqësi për ne bashkëpunimi me një partner kaq operativ, me eksperiencë, që njeh shumë mirë fushën dhe problematikën e shëndetit publik” - theksoi Drejtoresha e USAID-it. Në përfundim të takimit të dyja palët ranë dakord për një transparencë sa më të madhe të të gjitha projekteve, sidomos atyre që do të ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit, gjë që nuk është shumë e lehtë për efekt të specifikave të vetë sistemit shëndetësor.

A/H1N1, mbyllen dy shkolla në Greqi
Autoritetet greke kanë vendosur për mbylljen e përkohshme të dy shkollave në Athinë për shkak të rasteve të shumta të përhapjes së gripit të derrit mes nxënësve. Vendimi ka ardhur pas ndërprerjes së mësimit disa ditë më parë në disa klasa të këtyre dy instituteve në lagjet periferike të Melissias e Haidarit.
Mbyllja e shkollave është vendosur nga prefektura pas konsultimeve me Ministrinë e Shëndetësisë, pasi ishin vërejtur dhjetëra raste të virusit A/H1N1. Shteti grek ka numrin më të lartë të nxënësve të prekur në shkolla, duke e krahasuar me vendet e tjera europiane. Ndërkohë që autoritetet shëndetësore greke bëjnë të ditur se rastet e infektimeve nga virusi pandemik po vijnë gjithmonë në rritje. Të njëjtat autoritete kanë vendosur rregullat paraprake për parandalimin e virusit në shkolla, duke i mbyllur ato për 6 ditë që pas verifikimit të rasteve të personave të prekur. Kjo është një zgjidhje për të mundësuar parandalimin e përhapjes së virusit.

Obeziteti, shkak për shtimin e rasteve me diabet tek të rinjtë

Obeziteti tek fëmijët dhe të rinjtë mund të çojë deri aty sa të shkaktojë sëmundje autoimune. E para nga të gjitha është diabeti i tipit 1 ose insulino-dipendent. Një studim italian, i prezantuar në kongresin e shoqërive evropiane për studimin e diabetit, ka nxjerrë në pah se të rinjtë me shumë kile tepër rrezikojnë deri në pesë herë më shumë nga moshatarët e tyre, ku këta mund të preken më lehtë nga kjo sëmundje. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Parandalimin e Diabetit, çdo dy sekonda në botë shfaqet një rast i ri. Kjo është risia e fundit e diabetit të tipit 2 që ka pushtuar tokën, cilësuar ndryshe edhe si sëmundja e pleqërisë (por që në pjesën më të madhe të rasteve prek 30-vjeçarët). Në vitin 2007, numri i diabetikëve arriti në 246 milionë, ndërsa në 2025-ën është parashikuar që kjo shifër të arrijë në 380 milionë. Por nëse llogariten prediabetikët (shenjat e para me glicemi në pamje normale), vetëm në vitin 2007 numri i tyre arrinte në 555 milionë, ndërsa në 2025-ën ai do të shkojë 789 milionë. Kjo po që është një epidemi e vërtetë. Zakonisht kur flitet për diabetin të gjithë janë të prirur të mendojnë se kjo anomali vjen si pasojë e mbipeshës. Çdo vit nga kjo sëmundje vdesin plot katër milionë persona. Në fakt, kjo patologji nuk përfshin vetëm vendet e pasura, por edhe ato në zhvillim, veçanërisht “vendet e reja të pasura”, siç janë Kina, India, Rusia, Brazili.

.

1 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›