Kosovë, qeveria distancohet nga protokolli EULEX-Serbi
Protokolli për policinë, i nënshkruar nga EULEX-i dhe Serbia nuk do të zbatohet, por as nuk do të pengohet nga qeveria e Kosovës. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ai sqaroi pozicionin e Qeverisë në lidhje me zbatimin e marrëveshjes teknike ndërmjet misionit të BE-së dhe Serbisë, me të cilën EULEX-i synon të vendosë një shkëmbim informacionesh me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, në lidhje me menaxhimin e kufirit, krimin e organizuar, kontrabandën dhe trafiqet. Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gjylnaze Syla, kërkoi sqarime nga Qeveria se si do të veprohet, pasi ky protokoll pritet të zbatohet nga tetori i këtij viti. “Meqënëse zbatimi i tij kërkon përfshirjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, pyetja ime është: Çfarë do të bëjë Qeveria, a do ta pengoni zbatimin e marrëveshjes në territorin e Kosovës apo do të bashkëpunoni?”,- u shpreh Syla. Duke qenë se bëhet fjalë për një aranzhim teknik ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë, ku Qeveria e Kosovës nuk ishte palë e marrëveshjes, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se Qeveria nuk e zbaton, por as nuk e pengon atë. Sidoqoftë, vijoi Kuçi, për luftimin e të gjitha llojeve të krimit brenda territorit të Kosovës, Qeveria mbetet faktori kryesor. Ndërsa EULEX-i ka paralajmëruar se nga tetori do të fillojë konsultimet me Serbinë për zbatimin e protokollit ndërpolicor, si dhe janë paralajmëruar dy protokolle të tjera, njëri nga fusha e gjykatave dhe tjetri nga fusha e doganave, Qeveria në Prishtinë, sipas Kuçit, do të vazhdojë me politikat e veta, si dhe me bashkëpunimin e saj me vendet fqinje.
1 Tetor 2009