E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia “mbyt” shoferët me gjoba, me mijëra në ditë



Aksionet e policisë për të gjobitur shkelësit e qarkullimit rrugor, fushata sensibilizuese e policisë rrugore duke u shpërndarë shoferëve fletë-palosje apo edhe thirrjet publike për të respektuar rregullat, duket se nuk kanë ndikuar në përmirësimin e situatës në Tiranë. Pavarësisht përpjekjeve të shumta të policisë rrugore të kryeqytetit për të bindur shoferët të jenë më të përgjegjshëm, sërish janë konstatuar me qindra shkelje. Kështu vetëm ditën e djeshme policia rrugore ka mundur të vjellë më rreth 1760 gjoba. “Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të cilët janë debitor në shlyerjen e detyrimeve të tyre, të paraqiten pranë zyrave të arkës në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë. Kontrolle dhe masa ndëshkuese do të ndërmerren ndaj atyre drejtuesve të cilët nuk kanë shlyer detyrimet e tyre, që rrjedhin nga kundravajtjet administrative. Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës” thuhej në deklaratën e lëshuar dje nga policia e Tiranës. Sipas policisë, vetëm ditën e djeshme në Qarkun e Tiranës nga shërbimet e Policisë janë vendosur 1759 me vlerë 98.5800 lekë ndërsa janë pezulluar 8 leje drejtimi. Policia bën të ditur se aksioni do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Rishfaqet Markeljani, superhajduti 12 vjeçar që vjedh banesat
Rishfaqet superhajduti 12-vjeçar, Markeljan C, me vjedhje të tjera në Tiranë. Pas “shtegtimit” në zonat turistike gjatë sezonit verior, Markeljani është kthyer sërish për të vjedhur në Tiranë. I cilësuar si “tmerri” i qytetarëve, 12-vjeçari kësaj radhe akuzohet për tre vjedhje të ndodhur gjatë 20 ditëve të fundit në kryeqytet. Burime nga policia thanë se i mituri në bashkëpunim me 14-vjeçarin I.N, dyshohet të jenë autorë të tre vjedhjeve të ndodhura në kohë dhe vende të ndryshme në Tiranë. Sipas policisë dyshohet se më datë 9 shtator të këtij vitit dy të miturit, në rrugën “Sadik Petrela” kanë realizuar vjedhjen e banesës në pronësi të një shtetasi, Më datë 9 shtator 2009, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e një shtetasi disa bizhuteri, të cilat arrijnë në vlerën prej 100 000 lekësh dhe më datë 18 shtator 2009, në rrugën “Isa Buletini” Tiranë dyshohet se kanë vjedhur në ambientet e një banese, shumën e parave prej 10 000 lekë dhe dy unaza floriri. Ata do të ndiqen në gjendje të lirë për shkak të moshës së mitur. Markeljan C, ka qenë më shumë se 100 herë i shoqëruar në komisariatet e policisë së Tiranës.
Kapet në Greqi pas 16 vitesh shqiptari i kërkuar për vrasje
Arrestohet në Greqi një 51-vjeçar i shpallur në kërkim nga policia për vrasje prej 16 vjetësh. Riza Pleraraku lindur në Pobrat të Beratit, është arrestuar të martën me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, nga policia greke. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë se Pleraraku ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, më datë 13 maj të vitit 1994, e ka dënuar atë me 25 vjet burgim, për veprën penale të “Vrasjes me dashje, për motive të dobëta, duke i shkaktuar mundime të veçanta viktimës”. Sipas vendimit të gjykatës, Riza Plerarakuka vrarë me mjete të forta shtetasin A. Hysa në fshatin Probat të Beratit. Ngjarja ka ndodhur më datë 17.01.1993 për motive të dobëta.
Për t’i shpëtuar prangave, Pleraraku kishte mundur të arratisej në shtetin grek ku jetonte prej 16 vjetësh. Ndërkohë që dje ai është kapur nga policia greke, ku pas verifikimeve rezultoi se ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia Shqiptare. Kjo e fundit do të nisi dhe procedurat për ekstradimin e të kërkuarit.

1 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›