E Shtunë, 31 Tetor 2026

Steinberg: Politika shqiptare të pajtohet

Zv.sekretari i Shtetit të SHBA: Kryeministri Berisha, udhëheqësi legjitim

Zëvendëssekretari i Shtetit Amerikan, James Steinberg, u bën thirrje forcave politike në Shqipëri që të tregojnë elasticitet për zgjidhjen e problemeve mes tyre. Sipas Steinberg, lëshimet mes palëve duhet të bëhen mbi të gjitha për përparimin e vendit. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Steinberg foli gjatë për Kosovën, por u ndal veçanërisht dhe te Shqipëria. Duke iu referuar krizës aktuale politike në Shqipëri, Steinberg tha se Shtetet e Bashkuara i kanë mbështetur hapat që anëtarët e Parlamentit Europian kanë ndërmarrë për të lehtësuar një mirëkuptim mes palëve. Sipas tij, ekzistojnë hapat që çojnë drejt pajtimit palët politike. “është një situatë e vështirë. Ne pranojmë se Kryeministri është udhëheqësi legjitim i vendit dhe mendoj se duhet të shikojmë përpara, por kam bindjen se ekzistojnë hapa që mund të bëhen për të ndihmuar në arritjen e pajtimit mes forcave politike në Shqipëri. Ne i kemi mbështetur mjaft përpjekjet që anëtarët e Parlamentit Europian kanë ndërmarrë për të lehtësuar një mirëkuptim mes palëve”. Sipas zëvendëssekretarit Amerikan të Shtetit, SHBA shpreson se politika shqiptare do të jetë elastike dhe do të shuajë grindjet e brendshme në emër të përparimit të vendit. Sipas tij, pajtimi duhet të vijë pasi Shqipëria ndodhet para disa momenteve të rëndësishme. “Ne shpresojmë se të dyja palët do të tregojnë një farë elasticiteti, ta lejojnë vendin të ecë përpara. Shqipëria është në prag të disa hapave që mund ta forcojnë të ardhmen e saj europiane krahas anëtarësimit në NATO. Siç e përmenda, Kryeministri Berisha është udhëheqësi legjitim në Shqipëri, por mendoj se mund të ndërmarrim disa hapa përpara për të lejuar që të dyja palët të përpiqen të punojnë së bashku”. Gjatë intervistës për “Zërin e Amerikës”, Steinberg tha se palët në politikën shqiptare kanë nevojë për një shumicë që të miratojnë disa ligje në Parlament, prandaj ky lloj të menduari që mban parasysh të ardhmen do t’i ndihmojë ata të ecin përpara në drejtimin ku të gjithë duan të shkojnë. Në intervistën e dhënë për VOA, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit deklaroi se qëndrimi amerikan mbi statusin e Kosovës së pavarur nuk do të ndryshojë. Steinberg konfirmoi se nuk duhet të ketë paqartësi lidhur me qëndrimin amerikan, se Kosova është e pavarur dhe sovrane. Kjo nuk do të ndryshojë. Por ndërkohë që punohet për këto çështje afatgjata, ka rëndësi që të ketë një farë bashkëpunimi praktik mes Kosovës dhe Serbisë. Nënsekretari amerikan i Shtetit iu referua pastaj zërave që dëgjohen kohët e fundit lidhur me të ashtuquajturat plane për ndarjen e Kosovës. Ai tha se një ndarje as që diskutohet.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›