Loshaj: Në Shqipëri kërcënohem, dëshminë e jap në Kosovë
Avdyl Loshaj, dëshmitari kryesor në procesin ndaj tre ish-SHIK-sve të akuzuar për rrëmbimin me pasojë zhdukjen e Remzi Hoxhës, nuk preferon të pyetet në Shqipëri, pasi i rrezikohet jeta. Loshaj është kontaktuar nga organi i akuzës dhe gjatë bisedës ai ka deklaruar se ka dëshirë të flasë për rrëmbimin dhe torturimin e tij në vitin 1995, por preferon të pyetet në shtetin e Kosovës. “Jam i gatshëm të pyetem në Kosovë, pasi në Shqipëri më rrezikohet jeta”, mësohet të ketë deklaruar Loshaj nga Holanda, gjatë bisedës që ka zhvilluar me prokurorët e çështjes. Ai ka sqaruar se është gati të merret në pyetje nga gjykata dhe prokuroria.
Ndërkohë, dje është zhvilluar seanca gjyqësore e radhës, ku janë diskutuar modalitetet për pyetjen e katër dëshmitarëve që ndodhen në Itali dhe Holandë. Në datën 2 qershor, Ministria e Drejtësisë ka nisur drejt Kosovës letër-porosinë, e cila i hap rrugë marrjes në pyetje të dëshmitarit Avdyl Loshaj. Ky i fundit ndodhet në Holandë dhe me pëlqimin e tij ka zgjedhur Kosovën për t’u pyetur. Ndërkohë, shteti italian ka caktuar datat për pyetjen e tre dëshmitarëve të tjerë. Më 8 korrik 2010 do të pyetet në Romë dëshmitari Martin Miraj, më 23 qershor Riza Shehu në Trevizo dhe po në të njëjtën ditë Flutura dhe Gjok Hasanaj do të merren në pyetje në Pistoia. Këta dëshmitarë mendohet se kanë pasur dijeni për fatin e Remzi Hoxhës, ndërsa Avdyl Loshaj u mbijetoi për mrekulli torturave të SHIK-ut në vitin 1995, pas arratisjes nga komisariati i policisë. Një seancë më parë, gjykata ka deklaruar se Loshaj ka “humbur gjurmët” në Holandë, pasi nuk ishte gjetur në vendstrehimet e tij. Sipas një përgjigjeje zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë së Holandës, ekzekutimi i letër-porosisë për pyetjen e Loshajt nuk ishte ekzekutuar, për shkak të mosgjetjes së vendndodhjes së tij. Prokurori i çështjes e garantoi gjykatën për saktësimin e adresës së dëshmitarit, ndërsa avokatët kërkuan mosmarrjen e dëshmisë së Loshajt, pasi, sipas tyre, kohëzgjatja e marrjes së saj po mbante peng procesin. “Hetimet kanë rezultuar se shtetasi Avdyl Loshajt nuk gjendet në qytetin e Bredas dhe nuk është i regjistruar në këtë vend. Meqë nuk gjendet adresa e Loshajt, ne nuk mund të bëjmë asistencën e kërkuar ligjore, ndaj kërkesa juaj kthehet e paekzekutuar”, thuhej në përgjigjen e kthyer nga autoritetet atje për ekzekutimin e letër-porosisë, për pyetjen e Loshajt në Holandë. Prokurori i çështjes u shpreh se në vitin 2003 Avdyl Loshaj është pyetur nga organi i akuzës në Ambasadën shqiptare në Holandë. Sipas prokurorit, për shkak të tronditjes, druajtjes dhe sigurisë së tij fizike, Loshaj kishte dhënë si adresë vetëm emrin e qytetit Breda, ku jetonte. Në vijim, prokurori Xhevat Hana pohoi para togave të zeza se “shumë shpejt do t’i japim gjykatës adresën e saktë”. Gjykata vendosi t’i lërë disa ditë kohë prokurorisë për saktësimin e adresës së dëshmitarit Loshaj, ndërsa dje ka marrë përgjigjen se Loshaj është gati të merret në pyetje në shtetin e Kosovës.
#