E Diel, 1 Nëntor 2026

Steinberg ne Prishtine per nxitjen e bashkëpunimit

PRISHTINE- Zëvendëssekretari amerikan i shtetit, James Steinberg, ndodhet sot në Prishtinë ku takohet me udhëheqësit e lartë të institucioneve dhe përfaqësues të serbëve të Kosovës.

Diplomati i lartë amerikan do të takohet me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi dhe ministrin e Jashtëm, Skënder Hyseni.

Në orët e pasdites, Steinberg do te vizitojë Manastirin e Graçanicës, ku do të ketë një takim të shkurtër me klerin e tij. Në Graçanicë ai do te takohet edhe kryetarët serbë nga tri komunat e reja.
Ditë më parë, kur lajmëroi vizitën në vendet e Ballkanit, Steinberg e vlerësoi pavarësinë e Kosovës si faktor stabiliteti në rajon.

Ai tha se një nga çështjet për të cilën dëshiron të bisedojë, është se si të lehtësohet puna e EULEX-it në Kosovë dhe si të ndërtohen ura mes dy komuniteteve.

Steinberg gjithashtu ngriti edhe çështjen e shqyrtimit në mënyrë pragmatike të mundësive për shtimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.

Në ndalesën e tij të fundit në kuadër të turneut Ballkanik, zëvendëssekretari amerikan i shtetit, James Steinberg, pritet që zyrtarëve të lartë të Kosovës t’u përçojë porosi për tejkalimin e dallimeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe për forcimin e bashkëpunimit rajonal.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›