E Diel, 1 Nëntor 2026

Aldo Bare: Jam ende i fuqishëm, dy bashkëpunëtorët gënjejnë

Kreu i bandës së Lushnjës përballet me “armikun” Gramoz Selmani

Kreu i bandës së Lushnjës, Aldo Bare, ndihet ende i fuqishëm pas hekurave të burgut, madje ka “kërcënuar” dëshmitarët e drejtësisë se do të marrë hak. Deklarata është bërë dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, para Togave të Zeza, prokurorëve, avokatëve dhe dhjetëra gazetarëve e studentëve të Juridikut, që morën pjesë në seancë. Për të dytën herë, Bare është përballur me “armikun” e tij, Gramoz Selmani, i cili ka rrëfyer veprimtarinë e bandës së Lushnjës. Dëshmia e Selmanit është kundërshtuar fuqishëm nga avokati i Bares, Vladimir Meçi, i cili tha se marrja në pyetje e Selmanit është e paligjshme dhe se ka precedentë penalë. Në fillim të seancës gjyqësore, kreu i bandës së Lushnjës bëri një kërkesë. “Nëse do të ketë dëshmitarë si i madhi Kicja (Arben Kicja), që surrati ishte i mbuluar, dua që në atë dhomë të jetë përfaqësuesi im”, tha ai, ndërsa më pas prokuroria kundërshtoi avokatin Meçi, duke pohuar se Gramoz Selmani ka pasur një masë sigurie se ka qenë i pandehur në një proces të lidhur. 
Pas debateve, prokuroria ka vijuar pyetjen e Selmanit, i cili ka treguar kalvarin e jetës së tij. “Gjatë vitit 1997 kam qenë në Greqi. Në një ditë shikoj Artur Dajën me vëllain e tij, Lorenc Dajën, çunin e xhaxhait Alfred Dajën. Ishin 5 ose 6 persona. Më thanë ‘hajde të hash ndonjë gjë’. Më pas vjen një makinë dhe qëllon me kallash. Ne u futën poshtë tavolinës. Personat qëlluan në drejtimin tonë. Pas këtij momenti ishte vrarë një nga personat që ishin në tavolinë. Makina ishte ‘Audi’ me ngjyrë të zezë. Turi gjuajti nga mbrapa me kallash dhe ndaloi makina. Tek cepi pashë Alfred Shkurtin. Tek makina ishte Ramadan Shkurti. Vajti Turi tek makina e vëllait të Alfred Shkurtit, i mori pistoletën dhe i gjuajti në kokë. Alfred Shkurti iku me vrap bashkë me një person tjetër”, tha Selmani. Më pas Bare e pyeti nëse kishte ikur me vrap nga frika dhe dëshmitari tha se kështu e kishte parë. Më pas Zeneli tregoi edhe vrasjen e Nimet Zenelit dhe Masar Aliut, ndërsa saktësoi se Aldo Bare e ka qëlluar në këtë ngjarje.

Pas deklaratës, në sallë pati replika të ashpra midis “profesorit” dhe Selmanit. “Sot (dje) ke pasur shansin që të tregohesh i pastër dhe po ta kishe bërë këtë unë do të të falja, për Zotin që do të të falja për atë që bëre”, tha Bare, ndërsa e pyeti se kur e ka njohur për herë të parë. Dëshmitari tha se para viteve ‘90, ndërsa të dy debatuan për vrasjen e Ramadan Shkurtit, vëllai i Aldo Bares (Alfred Shkurti). Ky i fundit deklaroi se në atë ngjarje nuk ka qenë prezent, ndryshe nga sa deklaroi Selmani, i cili tha se Aldo Bare dhe Enver Rabia kanë ikur me vrap. “E habitshme që poshtë tavolinës i ke parë të gjitha këto”, ironizoi Bare, ndërsa dëshmitari deklaronte me përgjegjësi se e kishte parë. “Jam akoma i fuqishëm dhe do t’i liroj atë që ka në shtëpi Agron Kuliçi. Thuaj edhe një herë më ke parë mua tek Tur Daja dhe tek vrasja e Mehmet Zenelit?” reagoi fort Aldo Bare, ndërsa mori si përgjigje nga Gramos Selmani se “Po të kam parë”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›