Vetëhelmimi, tri raste gjatë 24 orëve
Rriten ndjeshëm rastet e vetëvrasjeve. Tri raste janë shënuar vetëm 24 orët e fundit në Korçë, Vlorë dhe Fier.
Kështu në Korçë, pas zënkës me prindërit për një lidhje sentimentale, një 19-vjeçare ka tentuar vetëvrasjen. Në orën 09.00 të mëngjesit, 19-vjeçarja me inicialet P.P. është transportuar në gjendje të rëndë shëndetësore nga prindërit e saj drejt spitalit civil të qytetit. Nga hetimet paraprake të policisë është mësuar se vajza kishte pasur mosmarrëveshje me familjen për lidhjen e dashurisë që kishte krijuar me një djalë korçar. Pas debateve, vajza ka kërcënuar se do vrasë veten dhe më pas është mbyllur në dhomë, ku ka pirë një sasi medikamentesh për t’i dhënë fund jetës. Falë ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve, e reja ka dalë nga gjendja kritike për jetën.
Ndërkohë, në Vlorë një 38-vjeçar është vetëhelmuar mbrëmjen e së martës. Burime të policisë bëjnë të ditur se Altin Meli, 38 vjeç, me banim në qytetin e Vlorës, ka gjetur vdekjen, pasi ka konsumuar një sasi të konsiderueshme fostoksine. Burri është gjetur nga familjarët dhe me gjithë përpjekjet e tyre nuk kanë mundur ta shpëtojnë, pasi ka gjetur vdekjen rrugës për në spital. Sipas dëshmive të të afërmve, 38-vjeçari prej disa kohësh vuante nga depresioni dhe ka tentuar disa herë të vrasë veten.
Ndërsa në Fier është regjistruar rasti i katërt i vetëhelmimit brenda pak ditësh. Një 29-vjeçare me probleme mendore ka tentuar t’i jap fund jetës me mbidozë ilaçesh. Burime të spitalit rajonal të Fierit shprehen se në orën 14.00 të së mërkurës ka mbërritur në gjendje të rëndë 29-vjeçarja Alma Gashi. E reja ka shfaqur shenja të helmimit dhe mësohet se kishte pirë një sasi të konsiderueshme ilaçesh. Sipas policisë, shkak për marrjen e vendimit tragjik është bërë gjendja e rëndë depresive.
#