Romeo Leka vizitohet në spitalin psikiatrik
Romeo Leka, i akuzuar për grabitjen me armë të një banke dhe rrëmbimin e mbajtjen peng të një vajze në kryeqytet, është vizituar në spitalin psikiatrik, pasi prokuroria dhe gjykata kanë dyshime për gjendjen mendore të tij. Ai është shoqëruar nga Paraburgimi 313 dhe për disa orë është vizituar te spitali numër 5. Burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda deklarojnë se ende nuk ka një përgjigje të analizave për shëndetin e Romeos. Nga verifikimi i deritanishëm i gjendjes mendore të 25-vjeçarit të akuzuar për dy tentativa me grabitje me armë, për vjedhjen me armë të bankës, rrëmbimin dhe mbajtjen peng të studentes Lori Hatellari dhe armëmbajtje pa leje, gjendja paraqitet komplekse dhe sipas specialistëve, analizimi i saj nuk mund të bëhet në kushte ambulatore. Nëse gjendja e tij nuk është normale, atëherë prokuroria do të urdhërojë shtrimin e tij në Spitalin e Burgjeve.
#