A duhet të dorëzohet gazetari kur kërcënohet?
Kur dikush kërcënon, a duhet të dorëzohet gazetari? Sa e vështirë të bësh gazetari në Shqipëri, gazetarinë e vërtetë që sjell realitetet ashtu siç janë, që u jep mundësinë të dyja palëve të thonë faktet e tyre e kur njëra shfaqet më bindshëm se tjetra, atëherë nisin kërcënimet. Zbresin deri në nivelin e banalitetit dhe sugjerimit të ADN-së. Pa diskutim që ky është një vend i vështirë për të bërë punën e gazetarit të mirëfilltë, pa marrë kërcënime nga njerëz që nuk përballen dot me argumentet, me të vërtetën që i vret. E kur nuk arrijnë ta blejnë, në emër të pushtetit të parasë, atëherë vjellin vrer. Shantazhojnë, tentojnë të të godasin gjoja moralisht meqë je dhe grua, e kjo në emër të mbrojtjes së familjes mund të bëjë të tërhiqesh. E ndërsa mendon a ia vlen për rrogën që merr si gazetare terreni të përjetosh presione, tensione të kësaj natyre, misioni që mbart gazetaria, pasioni që fle brenda teje zgjohet. Për të thënë të vërtetat ashtu siç rrëfehen nga palët e përfshira dhe nëse njëra e paska gabim, ka institucione të tjera që mund t’i gjykojnë. Po kjo do të thotë më shumë para të harxhuara për të blerë edhe vendime. E përtej hezitimit, ngrihet zëri i familjarëve që jo vetëm nuk marrin më rrogat e burrave të tyre të bllokuar në Libi, por kanë nisur të marrin borxh për t’u dërguar para. Sytë e familjarëve të marinarëve të “Brustelit” që, duke lexuar lajmin e një dite më parë në gazetën “Shqip” shpresuan dhe u zhgënjyen, flasin. Gojët e tyre gjithashtu. Pesë marinarët nuk u nisën. Ngelën atje në Libi. Ende në Portin e Misuratës. Edhe ndërhyrja e kreut të diplomacisë shqiptare mbahet peng. Sytë e gruas së motoristit të parë Avni çekës janë tharë nga lotët për të shoqin, babanë e dy fëmijëve të saj që dergjet larg. Ata nuk u nisën. Janë ende në anije dhe pronari i saj, Alban Tepshi, përmes një telefonate njofton se për shkak të autoriteteve libiane nisja do të bëhet të enjten, rreth orës 19.30. Një bast i fituar nga familjarët e marinarëve, që u treguan mosbesues ndaj deklaratës së pronarit të anijes për prenotimin e biletave.
Pesë marinarë pritet të nisen sot për në Shqipëri duke i dhënë fund një kaluari gati njëvjeçar vuajtjesh deteve të Afrikës. Edhe dy të tjerë kanë kërkuar me forcë riatdhesimin, ndërsa kapiteni Armando Ulqinaku thotë se të gjithë duan të kthehen. Autorja e këtij shkrimi dhe redaksia e gazetës “Shqip” e konsideruan ndjekjen e kësaj çështjeje një detyrim profesional dhe qytetar. Tashmë, kjo është shndërruar në një sfidë dhe ne do ta ndjekim deri sa marinari i fundit i “Brustel” të kthehet në shtëpi dhe të marrë qindarkën e fundit të shpërblimit që i takon.
#