Helmim masiv në dasmë, rëndë në spital 12 vetë
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Helmohen në das-më, përfundojnë në gjendje të rëndë në spital 12 veta. Personat janë paraqitur në repartin e infektivit të spitalit të Vlorës gjatë ditës dhe mbrëmjes së të mërkurës në gjendje të këputur, me të vjella, dhe shenja të diarresë. Njëri pas tjetrit ata kanë kërkuar ndihmën e bluzave të bardha, pasi ndiheshin keq. Më pas mjekët kanë mësuar se të shtruarit ishin të gjithë të afërm dhe miq me njëri-tjetrin dhe se të gjithë kishin qenë të ftuar të dielën e kaluar në të njëjtën dasmë në zonën e Pyllit të Sodës. Shefi i infektivit, Islam Islami, u shpreh dje se "të sëmurët kanë nisur të paraqiten që një ditë më parë, ndërkohë që shumica e tyre janë shtruar në ambientet e këtij reparti. Ata kanë shfaqur shenja të diarresë, temperaturës së lartë dhe etheve". Me të parë situatën e rëndë mjekët e kanë vlerësuar rastin, aq më tepër, që të sëmurët e paraqitur urgjent kanë ardhur në rritje. Ata kanë dhënë ndihmën e parë të nevojshme dhe më pas trajtimi ka vijuar në kushte spitalore. Katër prej tyre kanë marrë mjekim dhe janë larguar për në banesat e tyre, ndërkohë që tetë persona të tjerë, gjendja e të cilëve ishte më e rëndë janë shtruar në spital. Mendohet që ka pasur edhe të tjerë të helmuar, të cilët e kanë kaluar gjendjen në kushtet e shtëpisë. Ende nuk ka të dhëna për shkaqet që sëmurën pacientët, por mjekët thonë se bëhet fjalë për një helmim masiv nga ushqimi. Fatmirësisht në pavionet e infektivit nuk kanë munguar mjekimet dhe ilaçet për ta. Gjendja e dasmorëve ka ardhur duke u rënduar pas dasmës që ka përfunduar në orët e mëngjesit të së hënës. Duke menduar se gjendja e tyre do të përmirësohet, asnjëri prej tyre nuk ka shkuar në spital, duke u kuruar në ambientet e shtëpisë. Por pasi ka kaluar e hëna dhe e marta, dhe gjendja e tyre vetëm sa ka ardhur duke u rënduar, dasmorët u paraqitën në spital. Ata janë habitur kur kanë parë njëri-tjetrin me të njëjtat simptoma që kërkonin ndihmën e bluzave të bardha. Vetëm atëherë secili prej tyre ka kuptuar se kishin të bënin me një helmim masiv. Sipas mjekëve, të shtruarit pritet të lënë sot spitalin.