Presidenti Topi, dekoron mjekun Panajot Boga
Urdhri më i lartë që jepet nga Presidenti i Republikës, këtë herë është dhënë për një nga figurat më të shquara të mjekësisë.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi, dje, mjekun e shquar, Panajot Boga me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”. Mjeku Ortoped, e mori këtë titull për punën që ka bërë gjatë gjithë viteve të jetës së tij, në ndihmë të njerëzve në nevojë. Gjatë ceremonisë e cila u zhvillua në ambientet e Presidencës, ishin të ftuar Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, personalitete të shumtë të fushës së mjekësisë dhe kolegë të Departamentit të Ortopedisë dhe Traumatologjisë në QSUT.
MASH-UNICEF: Strategji për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna
Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim me UNICEF, po hartojnë planin COMBI, (Comunication for Behavioral Impact), për mbrojtjen e fëmijëve ndaj çdo lloj dhune. Ky plan konsiston në mënyrën e komunikimit për një Impakt të të sjellurit, për reduktimin e rasteve të dhunës të mësuesve/kujdestarë ndaj fëmijëve/nxënës si mjet disipline në Shqipëri. Kjo strategji do të shërbejë për të rritur fëmijët me ndjenjën e solidaritetit dhe tolerancës, duke mos e njohur ndjenjën e të ndrydhurit. Krijimi i këtij projekti mori shkas nga raste të gjendjes së dhunës në shkolla dhe në familje dhe është bazuar kryesisht në të dhënat e raportit “Dhuna ndaj fëmijëve në Shqipëri”, që është përgatitur nga UNICEF.
15 Korrik 2008