E Diel, 1 Nëntor 2026

Ciftet e reja me femije, te braktisura nga shteti



Emanuela Sako

Lindja e një fëmijë është gjëja më e bukur në jetë për një çift të sapomartuar, por është dhe gjëja më e vështirë kur nuk plotëson kushtet e jetesës. Shteti nuk ofron asnjë ndihmesë për familjet që nuk kanë mundësi ekonomike për të përballuar jetesën dhe për t’iu krijuar një mundësi çifteve të reja për të nisur jetën e re. I vetmi stimul që ofrojnë autoritetet është dhurata prej 5 mijë lekësh, që Bashkia e Tiranës iu ofron fëmijëve të porsalindur, bashkangjitur me një certifikatë urimi, si banori më i ri i kryeqytetit. Por, mbetet një shumë e tillë është qesharake, kur mendon sesa të nevojshme e kanë prindërit për të rritur fëmijën, pavarësisht nga dëshira e madhe për të ndërtuar një familje të lumtur. Kjo është historia e shumë familjeve shqiptare që përkon edhe me dy personazhet që do të rrëfejnë historinë e tyre, ndërsa kanë sjellë në jetë fëmijën e parë. Ata jetojnë me paratë që fitojnë nga punët sezonale dhe me shtëpi me qira, ku me gjithë mangësitë në orendi që ka shtëpia, është e mbushur plot harmoni nga vajza e porsalindur.
Ngjarja
Elda dhe Altini, 24 dhe 26 vjeç, kanë dy vite të martuar dhe kanë sjellë në jetë fëmijën e tyre të parë, Irdën, 6-muajshe. E kanë pritur shumë këtë ditë, por përveç lumturisë e shohin shumë të vështirë të përballojnë jetesën dhe rritjen e fëmijës me të gjitha kushtet. Ata nuk kanë as pasuri dhe as ndihmë tjetër përveç punës së tyre sezonale. Çifti i ri jeton në një shtëpi me qira në një nga zonat e kryeqytetit, ku paguajnë 18 mijë lekë çdo muaj. Elda punon rrobaqepëse në shtëpinë e saj dhe paguhet sipas kërkesave që i vijnë nga banorët e lagjes për të prerë ndonjë rrobë vere apo për të bërë shkurtime dhe ngushtime veshjesh të ndryshme. Elda rrëfen historinë e saj dhe punën me të cilën merr më pak lekë sesa rrobaqepëset e tjera, për të tërhequr më tepër klientelë, ku të gjitha paratë e mbledhura në fund të muajit shkojnë sa për blerjen e penelinave. Ndërsa i shoqi, punon në punë të ndryshme, herë kamerier, herë në ndonjë qendër interneti etj. Por, në shumicën e rasteve e vetmja pagë mujore ngelen fitimet që merr Elda nga puna e saj. Shpeshherë iu është dashur që të marrin para borxh tek të afërmit, pasi e kanë të pamundur të mbulojnë shpenzimet mujore. Sipas saj, atyre iu duhen të paktën 50 mijë lekë në muaj për të siguruar kushtet më minimale. Ndërkohë që çdo muaj fitojnë herë 40 e herë më pak para. Gjithçka ngelet në varësi të punës që gjen bashkëshorti. Ajo sqaron se i duhen t paktën 6 mijë lekë në muaj vetëm për penelinat e vajzës së vogël, por ajo ka nevojë për ushqime të zgjedhura, gjë që nuk ia plotëson dot. Nëna 24 vjeçare, tregon se shpeshherë ndihet keq sepse nuk mundet të rrisë fëmijën e saj, ashtu siç e kishte menduar dhe siç i kishte premtuar vetes se do t’i plotësonte fëmijës të gjitha dëshirat dhe kushtet që asaj i ishin mohuar kur ishte e vogël. Lodrat dhe veshjet e e Irdës së vogël, janë blerë nga prindërit e saj me çmime të lira tek tregu i objekteve të përdorura. Madje dhe shtrati i saj i parë është blerë i përdorur. Elda shprehet se përveç, pamundësisë që ka për rritjen e fëmijës, ata janë një çift i lumtur për aq sa kanë. Por, nuk mungon një ndjenjë pesimizmi se sa gjatë do të vazhdojë kjo lumturi në kushte të tilla. Ajo tregon se kur vjen fillimi i muajit për të bërë pagesën e qirasë, fillojnë disa debate të vogla që bën me Altinin. Nëna e re thotë se duhet të blejnë disa gjëra për beben e vogël, ndërsa ai thotë se duhet të paguhet menjëherë qiraja për të shmangur problemet me pronarin e shtëpisë, në të kundërt do t’iu duhet të dalin në rrugë të madhe. E para, që do ta vuante këtë është vajza e vogël, ku nuk do të duronte vapën e nxehtë dhe ecejaket e prindërve të saj nëpër kryeqytet për të kërkuar një shtëpi.
Kërkesa
Elda tregon se ka bërë kërkesë për të përfituar një ndihmë ekonomike nga shteti. Por përgjigjja është negative, pasi ata janë të rinj dhe kanë mundësi të punojnë. Sipas çiftit, kjo është hipokrizi, pasi nuk kanë asnjë mbështetje tjetër dhe janë në mes vështirësive me fëmijën e vogël në duar. Ende nuk e kanë menduar dhe nuk e kanë gjetur një mundësi për të kapërcyer krizën ekonomike dhe për të jetuar si familjet normale në një shtëpi që të jetë e tyre. E vetmja dëshirë për ta, është që të blejnë një shtëpi dhe të rrisin fëmijët, ku vajza të ketë dhomën e saj dhe ata të kenë dhomën e tyre martesore, gjë që do të kurorëzonte dashurinë për familjen dhe një jetë brenda normave jetësore.

15 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›